Falënderimi është më tepër sesa një fjalë, ai është një gjest që shpreh mirënjohje dhe dashuri ndaj të mirave që vazhdimisht na bëhen në udhëtimin e jetës. Falënderimi është lutja më e mirë dhe më e shenjtë që ne kemi, në fakt edhe Meshe e shenjtë (Eukaristia) është lutje falënderuese ndaj Hyjit, që në personin e Krishtit ka dëshmuar dashurinë më të madhe ndaj njerëzimit. Çdo gjesti të kujdesit dhe të dashurisë duhet t’i përgjigjemi me falënderim!
Të gjithë kemi arsye të shumta për çka të falënderojmë. Në mbrëmjen e djeshme, në Misionin tonë, ishte përgatitur ndeja dhe darka e falënderimit për disa nga bashkëpunëtorët tonë që me praninë dhe ndihmën e tyre mundohen të jenë dëshmi e dashurisë së tyre për Krishtin dhe për Kishën.
Këshilltarët, përcjellësit e bekimit të shtëpive, si dhe ndarësit e Kungimit, fillimisht, don Antoni i përshëndeti duke Ju dëshiruar mirëseardhje dhe duke shprehur respekt dhe falënderim për kontributin që ata i japin Misionit tonë.
Ambienti i bukur, ushqimi i shijshëm, dëshmitë domethënëse të disa nga të pranishmit, tregimi i ndodhive dhe barsoletave, si dhe muhabeti i mirë dhe i këndshëm, e bënë mbrëmjen të veçantë dhe shumë gazmore.
Për gjithçka, falënderimi i takon Hyjit!