Të dashur të pranishëm!Mirë se kini ardhur në darkën e falënderimit që Misioni ynë, në fund të vitit, e shtron për ju bashkëpunëtorë dhe bashkëpunëtore të nderuara, që më shumë zell dhe dashuri e jepni kontributin tuaj në organizimet dhe realizimin e aktiviteteve të shumta kulturore, shpirtërore dhe edukative që ofron bashkësia jonë.
Përmes kësaj porosie dëshiroj të mbërrijë në zemrat dhe familjet tuaja me urimin më të mirë që festa e Krishtlindjes të jetë për të gjithë një rast i mirë për të ripërtërirë dashurinë tonë për Zotin dhe për njëri-tjetrin.
Festa e Krishtlindjes, më shumë dhe më mirë se çdo festë tjetër, prek botën tonë njerëzore – emocionale. Hyji, në personin e Jezusit, bëhet njeri. Kjo është me të vërtetë një ngjarje e madhe, unike, e mrekullueshme dhe e papërsëritshme.
Ngjarja historike e lindjes së Jezu Krishtit, e ndodhur para dymijë viteve në qytetin e vogël të Betlehemit, është dëshmia më e madhe se Zoti nuk ka hequr dorë nga njeriu, pavarësisht pabesive të tija. Pikërisht për këtë arsye, njëra ndër ndjenjat që do duhej ta karakterizonte festën apo kremtimin tonë, është mbi të gjitha ndjenja e falënderimit.
Falënderim, para se gjithash, ndaj Hyjit që na ka krijuar në përngjasimin e tij, të aftë për të hyrë në marrëdhënie. Ai ka bërë me ne njerëzit një besëlidhje të përhershme dashurie. Na ka falur sa herë që ne e kemi tradhtuar dashurinë e tij. Ka ardhur në realitetin tonë të brishtë njerëzorë për të na shëruar dhe për të na pajtuar me Atin dhe me njëri-tjetrin. Na ka dëshmuar se ne të gjithë i përkasim Mbretërisë së tij. Na ka bërë pjesëtarë të misionit të tij duke na dhuruar Shpirtin Shenjt mbrojtës dhe të gjitha dhuratat e tija. Ka vdekur dhe është ringjallur, në mënyrë që edhe ne të jetojmë me Të për amshim.
Ndjenja e falënderimit do duhej të shtrihej edhe në marrëdhëniet tona ndër-njerëzore. Falënderim i përhershëm ndaj dashurisë dhe sakrificës së prindërve të cilët kanë pranuar të na lindin, rrisin dhe edukojnë në fe. Falënderim vëllezërve dhe motrave të cilët, në mënyrë të natyrshme, na kanë ndihmuar të bashkë-ndajmë çastet e mira dhe ato të vështira të jetës. Falënderim familjes që na ka edukuar të jetojmë si vëllezër dhe motra me njëri-tjetrin. Falënderim Kishës që edhe në kohët më të errëta dhe më të vështira të historisë tonë kombëtare, familjare dhe personale na ka qëndruar pranë duke kultivuar virtytin e dashurisë, të shpresës dhe të besës. Falënderim të gjithë atyre që i kemi takuar në udhëtimin tonë të jetës sepse i kanë dhënë kuptim dhe shkëlqim jetës tonë. Falënderim edhe atyre që na kanë bërë keq, sepse na kanë dhënë mundësi të japim dëshmi se më të vërtetë i takojmë Mbretërisë së Krishtit që është mbretëri falje, mirësie dhe dashurie. E unë sot si meshtar i juaj, në emër të m. Vida Ademi, të m. Mrika Sabedini dhe të sekretares Gjane Simonit, me gjithë zemër Ju themi: Faleminderit.
Faleminderit këshilltarëve, anëtarëve të korit, lexuesve, ndarësve të Kungimit, Forumit të Grave, përcjellësve të bekimit të shtëpive, redaksisë së revistës Misioni ynë dhe të gjithë bashkëpunëtorëve tjerë që në forma të ndryshme në mbështetni dhe na ndihmoni në punën dhe shërbimin tonë të përditshëm.
Tani dëshiroj të falënderoj edhe stafin e kuzhinës, në krye me Nikollë dhe Violeta Markaj, të cilët do të na shërbejnë me ushqime dhe pije të shijshme. Këngëtarët, Afërdita Krasniqi, Shpejtim Krasniqi dhe Bashkim Krasniqi, të cilët kanë ardhur nga Gjeneva enkas për ne, për të na argëtuar më zërin e tyre të bukur dhe më muzikën e pastër shqipe. Po ashtu falënderoj edhe Kastriot Domgjonin që përmes ofrimit të zërimit ka bërë që zëri dhe kënga të jehojnë më mirë.
Të dashur të pranishëm, tendenca e mentalitetit të sotëm që festat të reduktohen në interes vetëm komercial duke i profanizuar ato, është një sfidë e madhe për besimin dhe kulturën tonë të krishterë. Mjerisht, pre apo viktimë e këtij mentaliteti, nganjëherë, jemi edhe ne të cilët besojmë në historinë e vërtetë të Jezusit. Kështu që, të gjithë, jemi të ftuar ta luftojmë dhe të fitojmë mbi këtë tendencë që synon të kënaqë vetëm dëshirat fizike, duke i anashkaluar ato shpirtërore. Nëse festat e Krishtlindjes nuk e gjallërojnë jetën tonë në tërësi, ne mund të themi se kemi festuar Krishtlindjen, por, nuk do të mund të themi se shpirti ynë ka festuar dhe se është vërtetë i lumtur. Përkundrazi, të jetuarit e festave të Krishtlindjes pa Krishtin, do të shtojë në ne boshllëkun dhe pakënaqësinë tonë.
Të gjithëve ju urojmë festat e Krishtlindjes që po afrohen dhe mbarësi në Vitin e Ri 2023.
Mirë se kini ardhur dhe Zoti Ju bekoftë të gjithëve!