Dje, më 24 maj, Këshilli Administrativ i Kishës vendore në Luzern, vikari ipeshkvor Hanspeter Wasmer, përfaqësues të Misionit italian, portugez, anglez, polakë, kroat dhe spanjoll e vizituan qendrën tonë.
Në orën 18:45 kishim mbledhjen e përbashkët, ndërsa, në ora 20:00 darka e përbashkët dhe shumë miqësore.
Don Antoni, në cilësinë e nikoqirit, përshëndeti të pranishmit duke ju dëshiruar mirëseardhje. Ai, para se të bënte lutjen dhe bekimin e darkës, bëri një paraqitje të Misionit tonë duke theksuar se: “Misioni ynë shtrihet në tetë kantone me rreth 15,000 besimtarë shqiptarë, kryesisht të ardhur nga Kosova. Në këto tetë kantone zhvillojmë veprimtari baritore dhe kulturore: Mesha të shenjta, pagëzime, vajime, katekizëm, vizita familjar, bekimet të shtëpive dhe shumë aktivitete tjera kulturore dhe shpirtërore. Jemi të lumtur dhe shumë të nderuar të ju kemi në mesin tonë. Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe për dëshminë e fesë. Falënderimi ynë i veçantë shkon për përgjegjësit e Kishës Vendore këtu në Luzern për mbështetjen dhe kujdesin që vazhdimisht tregoni për ne”.
Darka e shijshme dhe e kombinuar mes ushqimeve tona shqiptare dhe atyre zvicerane, është përgatitur nga Kastriot Frrokaj me familje, të cilët i falënderojmë shumë.
Në fund, për të gjithë të pranishmit, enkas kemi përgatitur një dhuratë modeste, një kavanoz me reçel.
Zoti e bekoftë Misionin tonë dhe miqët tanë!