Të dashur bashkëpunëtorë dhe bashkëpunëtore, miq dhe dashamirë të Misionit tonë.
Kam nderin dhe kënaqësinë që edhe në emër të stafit tim të ngushtë t’ju them mirë se keni ardhur në Darkën e Falënderimit që Misioni ynë, në fund të vitit, e shtron për ju që me shumë zell dhe dashuri e jepni kontributin dhe ndihmën tuaj në organizimin dhe realizimin e aktiviteteve tona baritore dhe kulturore.
Përmes kësaj porosie dëshiroj të përçoj te ju mesazhin tim me urimin që festa e Krishtlindjes të jetë për të gjithë ne një rast i mirë për tu ripërtërirë në dashuri ndaj Zotit dhe ndaj njëri-tjetrit. Të ripërtërihesh shpirtërisht në personin e Foshnjës hyjnore të Betlehemit domethënë t’i lejosh vetvetes të përvetësosh një stil jete i cili vazhdimisht të aftëson të vihesh në shërbim të së mirës, të rritjes, të formimit dhe të shenjtërimit të secilit njeri me të cilin jeton, apo që për arsye të ndryshme e takon në udhëtimin e jetës tënde. Kështu që ne, së bashku me ju, gjatë gjithë vitit mendojmë, lutemi, projektojmë, organizojmë, propozojmë dhe realizojmë gjëra të vogla, por që kanë rëndësi të madhe, sepse kështu mundohemi ta jetojmë fenë tonë dhe njëkohësisht ta dëshmojmë atë në kujdesin dhe dashurinë tonë për të gjithë, veçanërisht për ata që kanë më shumë nevojë për ndihmën dhe përkrahjen tonë.
Ngjarja historike e lindjes së Jezusit, e ndodhur para dymijë viteve, është dëshmia më e madhe se Zoti nuk ka hequr dorë nga jeta e njeriu, prandaj ai na do pavarësisht gabimeve dhe mëkateve tona. Pikërisht për këtë arsye ndjenja që do të duhej të mbizotëronte më shumë në ne, gjatë gjithë këtyre ditëve të festave të dhjetorit, është pikërisht ndjenja e falënderimit. Falënderimi, para se gjithash, i takon Hyjit që na ka krijuar në përngjasimin e Tij, dhe kështu na ka bërë të aftë të duam dhe ta jetojmë jetën në plotësi.
Jezusi duke ardhur në realitetin tonë të brishtë njerëzor na ka shëruar nga mëkati, pra na ka pajtuar me Atin dhe na ka aftësuar të jetojmë si vëllezër dhe motra me njëri-tjetrin, dhe kështu na fton, që tani, të bëhemi pjesëtarë të Mbretërisë së dashurisë së Tij.
Në këtë Darkë Falënderimi dëshiroj të falënderoj këshilltarët e Misionit tonë, të cilët me zell dhe përkushtim janë gjithmonë të gatshëm të këshillojnë dhe të ndihmojnë meshtarin në punën dhe misionin e tij në shërbim të popullit.
Faleminderit anëtarëve të korit për këndimin e bukur dhe shumë domethënëse, falë angazhimit dhe kontributit tuaj kremtimet dhe festat tona kanë bukuri dhe solemnitet më të madh.
Ju ndarësve apo ministrave të jashtëzakonshëm të Kungimit, ndërsa ju falënderoj për ndihmë tuaj të çmueshme, ju ftoj të mos harroni asnjëherë se Kisha ju ka besuar një detyrë të madhe dhe jeni vërtetë të privilegjuar që përmes duarve tuaja besimtarët mund të ushqehen me Bukën e gjallë të jetës.
Faleminderit lexuesve të të gjitha kishave ku ne kremtojmë Meshën shenjte. Ju ja shpallni të tjerëve Fjalën e Hyjit, prandaj ju ftoj që të mundoheni gjithmonë që para se Fjala e Zotit të ketë kaluar nëpër buzët tuaja, ajo të ketë gjetur vend në mendjen dhe zemrën tuaj, kështu ajo do t’ju mbush me gëzim që në këtë mënyrë të mund të bëheni shpallës dhe dëshmitarë të vërtetë të saj.
Faleminderit Forumit të Grave për ndihmën tuaj të pazëvendësueshme që ja bëni Misionit tonë. Prania, ndihma dhe dëshmia juaj mbërrin te shumë njerëz dhe në shumë familje, sepse ju me organizimet e tuaja, nuk mendoni vetëm për vete, por keni gjithmonë zemër për të varfërit që trokasin në dyert e Misionit tonë. Lutja dhe falënderimi i tyre për ju dhe për bamirësit, qoftë bekim dhe gëzim për ju dhe familjet tuaja.
Faleminderit ju Përcjellësve të bekimit të shtëpive që me shumë durim gjeni kohë për të organizuar dhe për të përcjellë meshtarin nëpër familje të shumta.
Faleminderit Ansamblit Shqiponja, pra të rinjve dhe të rejave tona që kanë marrë iniciativën të ruajnë dhe të promovojnë, përmes valles dhe këngës, kulturën dhe traditën tonë të lashtë shqiptare. Uroj që takimi i tyre i përjavshëm në Mision të shërbejë edhe për formimin dhe rritjen e miqësisë suaj.
Faleminderit personave që na ndihmojnë në organizimin e aktiviteteve tona sportive, falë ideve dhe ndihmës tuaj ne po organizojmë turnirë të nivelit të lartë sportiv, dhe po bashkojmë shumë njerëz, pa marr parasysh përkatësinë e tyre religjioze.
Faleminderit anëtarëve të redaksisë së revistës Misioni ynë dhe bashkëpunëtorëve të saj që jepni kontributin tuaj në mënyrë që zëri informativ dhe edukues i Misionit tonë të mbërrijë në të gjitha familjet që e përbëjnë bashkësinë tonë misionare.
Dhe në fund dëshiroj të falënderoj kryetarin e Shoqatës Humanitare Nënë Tereza, z. Nue Zallin për bashkëpunimin e mirë që kemi. Uroj që shembulli dhe ndërmjetësia e Nënë Terezës të jetë për ne nxitje dhe frymëzim për tu takuar dhe për të vepruar edhe më shumë për të mirën e popullit tonë.
Tani dëshiroj të falënderoj edhe stafin e kuzhinës, Mikel Perkolaj, Simonin, Antonin, Migjeni të cilët e kanë përgatitur ushqimin dhe do të shërbejnë për ne në mënyrë që të kalojmë sa më mirë në këtë mbrëmje vëllazërore. Faleminderit grupit muzikor, Vëllezërit Ukaj, që në krye me Nrecën, kanë pranuar me shumë mirësi dhe bujari të jenë këtu për disponimin tonë. Faleminderit Kastriot Domgjonit për teknikën e zërimit që vazhdimisht e ofron falas për Misionin tonë.
Të dashur të pranishëm, e gjithë puna dhe aktiviteti ynë më bënë të besoj gjithnjë e më shumë se pasuria e një personi nuk qëndron në gjepat apo në kartat bankare të tijat, por në zemrën e tij. Kjo pasuri e zemrës, natyrshëm, manifestohet dhe dëshmohet përmes gjesteve dhe punës vullnetare për të mirën e Misionit tonë. Kështu që nga zemra ju them të gjithëve: Faleminderit!
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Pasi që jemi në prag të festave, ju uroj festën e Krishtlindjes me urimin që shëndeti, paqja, mirësia dhe dashuri të ju përcjell në Vitin e Ri 2024!
Don Anton Uka, Luzern
Foto: Nue Tuqi