Përkushtimi dhe përshpirtëria e popullit tonë ndaj shenjtit të Padovës është e veçantë dhe origjinale si në pak popuj të tjerë në botë, siç dëshmoi edhe festa e djeshme në Luzern.
Gjatë 13-të të martave, kushtuar Shna Ndout, Mesha e shenjtë ishte e mbushur plot me besimtarë të cilët me lutje dhe përshpirtëri dëshmuan dashurinë për Krishtin dhe shenjtërit e Tij.
Edhe mbrëmjen e djeshme, në ditën e Shna Ndout, pavarësisht se ishte një ditë pune me shumë angazhime, besimtarë të shumtë gjetën kohë të vijnë në meshë dhe kështu të kremtojmë së bashku festën e Shenjtit të shumë mrekullive.
Për të gjithë të pranishmit, familjet e Misionit tonë përgatitën një apéro të pasur me ushqime të shijshme dhe kështu, pas meshës, në ambientet e Misionit tonë, festuam së bashku festën e Shna Ndout.
Falënderojmë Forumin e Grave dhe të rinjtë e Ansamblit “Shqiponja” sepse janë gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë në festimet tona të përbashkëta.
Shenjti Shna Ndue, lutu për ne dhe për popullin tonë!
Fotot: Kastriot Frrokaj & Gaspër Merturi