Diversiteti është pasuri!
Dje pasdite, 28 gusht 2024, zhvilluam një shëtitje të përbashkët me të gjithë përfaqësuesit dhe bashkëpunëtorët e Misioneve që veprojnë në Kantonin e Lucernit, si dhe me përgjegjësit për kujdesin baritor të emigrantëve të Kishës lokale të Lucernit. Falë organizimit të mirë të drejtuesve baritorë të Misioneve me Gjuhë të Huaj në Lucern, kaluam momente vërtet të bukura, të këndshme me plot aktivitete kulturore.
Fillimisht vizituam kishën e Shën Leodegardit në Lucern dhe u informuam gjerësisht për pjesën historike, kulturore dhe artistike të kësaj kishe të famshme të Zvicrës qendrore dhe më gjerë. Më pas, lundruam në liqenin e bukur të Lucernit dhe kështu arritëm në Hergiswil ku vizituam fabrikën e xhamit. Këtu u njohëm me historikun e kësaj fabrike, me punën e veçantë që kryhet atje dhe më pas darkuam së bashku.
Ishin vërtet momente të bukura dhe shumë të këndshme, për të cilat falënderojmë organizatorët e këtij aktiviteti.