Sot, më 15 shtator, filluam me kremtimin e Meshës së Shenjtë në gjuhën shqipe edhe në qytetin e Stansit, një kishë shumë e bukur plot art, histori dhe shenjtëri. Stansi bëhet kështu qendra e 10-të ku, sipas një kalendari të caktuar, kremtohet mesha dhe zhvillohen aktivitete të tjera shpirtërore e kulturore.
Besimtarët e shumtë të pranishëm në Meshë shprehën kënaqësinë e tyre sepse tashmë edhe në këtë zonë mund të takohen çdo të tretën e diel të muajit, në orën 17:00, për t’i lutur Zotit në gjuhën shqipe.
Për këto mundësi të mira falenderojmë kishën lokale të Luzernit dhe autoritetin kishtar të Stansit, të cilët na pritën ngrohtësisht.
Pas meshës, disa nga të pranishmit në meshë janë ndalur për një aperitiv, të cilin Merita Prenrecaj, Gita Berisha dhe Aida Ivani, së bashku me familjarët e tyre, e kanë organizuar në shenjë falënderimi për këtë rast të mirë për të kremtuar Meshën në këtë pjesë të Misionit tonë. Falenderojmë edhe këshilltarin e kësaj zone, Gustin Berisha, i cili vazhdimisht angazhohet për të ndihmuar meshtarin dhe bashkësinë në përgjithësi.
Shpresojmë që ky të jetë një fillim i mbarë dhe me ndihmën e Zotit dhe të Zojës së Bekuar të jemi gjithmonë së bashku për të festuar dhe falënderuar.