Leximi i parë (Is 11,1-10)
Do ti gjykojë me të drejtë të skamnorët
Lexim prej librit të Isaisë profet
Në atë ditë, një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij. Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit. S’do të gjykojë sipas pamjes së syve as s’do të vendosë sipas thashethemeve, por do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët, do t’u japë gjyq të drejtë të përvujtëve të vendit, me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë vendin e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin. Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia, me besnikëri do t’i ngjeshë ijët. Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi, viçi e këlyshi i luanit bashkë do të kullotin, fëmija i vogël do t’i çojë e do t’i bjerë. Lopa e arusha bashkë do të kullotin, këlyshët e tyre së bashku do të rrinë, luani kashtë do të hajë si kau. Foshnja do të luajë mbi vrimën e shlligës, në strofullin e kapastrecit fëmija në gji dorën do ta futë. S’do të bëhet dëm as s’do të vritet kush në mbarë malin tim të shenjtë, sepse plot do të mbushet vendi me dijen e Zotit, porsi detet që mbulohen me ujë. Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngallisë si flamur për kombe, vetë popujt atë do ta kërkojnë, selia e saj do të jetë e lavdishme. Fjala e Zotit
Psalmi 72 (71)
Ref. EJA, O ZOT, MBRET I DREJTËSISË DHE I PAQES
_________________________
O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd
dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi
e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.
___________________________
Në ditët e tij do të lulëzojë drejtësia
dhe paqe e madhe derisa të jetë Hëna.
Do të sundojë prej detit në det,
prej Lumit e deri në skajin e botës.
_________________________
Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan,
të varfrin që nuk ka ndihmëtar.
Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin,
dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.
__________________________
Qoftë bekuar emri i tij në shekuj,
sa të jetë Dielli mos iu harroftë emri!
Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut,
të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.
Leximi i dytë (Rom 15,4-9)
Jezu Krishti i shëlbon të gjithë njerëzit.
Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, gjithçka që dikur u shkrua, u shkrua për mësimin tonë, në mënyrë që, me anë të qëndresës e të ngushëllimit që vjen nga Shkrimi shenjt, të kemi shpresë. 5 E Hyji që jep qëndresën dhe ngushëllimin, bëftë që ju të jeni plotësisht në përkim njëri me tjetrin sikurse dëshiron Jezu Krishti, në mënyrë që, një mendimi e një goje, ta lëvdoni Hyjin, Atin e Zotit tonë, Jezu Krishtit. Prandaj, pranoni njëri-tjetrin në shoqëri sikurse Krishti ju pranoi ju për lavdinë e Hyjit. Pohoj se Krishti u shërbeu të rrethprerëve për arsye të besnikërisë së Hyjit, për t’i plotësuar premtimet e dhëna etërve e që paganët ta lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij, sikurse thotë Shkrimi shenjt: ‹Prandaj do të lavdëroj ndër paganë dhe do t’i këndoj këngë Emrit tënd!› Fjala e Zotit
Aleluja!
Përgatiteni udhën e Zotit, rrafshoni shtigjet e tija! Çdo njeri ka për ta parë shpëtimin e Hyjit
Aleluja!
Ungjilli (Mt 3, 1-12)
Kthehuni: mbretëria qiellore është afër.
Leximi i ungjillit shenjt sipas Mateut
Në ato ditë u duk Gjon Pagëzuesi duke predikuar në shkretinë e Judesë e thoshte: »Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!« Dhe, njëmend, ky është ai për të cilin parafoli Isaia kur tha: »Zëri i atij që bërtet në shkreti: përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni shtigjet e tija!« Gjoni ishte i veshur me petk leshi deveje e rreth ijëve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. Aso here vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit. E mbasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan. Kur pa se shumë farisenj e saducenj po i vinin në pagëzim, u tha: »Pjellë shlligash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? Bëni, pra, vepra të denja kthimi! As mos t’ju bjerë në mend të thoni në vete: ‹Kemi atë Abrahamin!› sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve! Tashmë sëpata u vu në rrënjë të lëndëve; çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e qitet në zjarr. Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë kthimi, porse ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e vetë nuk jam i denjë as t’ia zbath të mbathurat: Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr. Ai e ka në dorën e vet terploten e do ta pastrojë lëmin e vet; grurin e vet do ta mbledhë në grunar, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.« Fjala e Zotit