Leximi i parë (Is 35, 1-6.8.10)
Hyji ynë pp vjen për të na shëlbuar.
Lexim prej librit të Isaisë profet
Le të gëzojnë vendet e shkreta e të papërshkueshme, le të galdojë shkretëtira e të lulëzojë si lili! Le të bulëzojë e le të lulëzojë, le të gazmojë, në hare të shpërthejë! Iu dhurua lavdia e Libanit, e Karmelit stolia dhe e Saronit! Do ta shohin lavdinë e Zotit, shkëlqimin e Hyjit tonë! Përtëritni në fuqinë e duarve të lodhura, fuqi jepuni gjunjëve të marrakotur! Thuajuni atyre që i ka lëshuar zemra: “Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behu shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!”Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkretëtirë. Do të ketë shteg e do të ketë udhë, do të quhet Udha e shenjtë; nëpër të do të kthehen të shpërblyerit prej Zotit. Do të hyjnë në Sion me britma gëzimi, do t’u qeshë fytyra me gëzim të përhershëm, do t’i shoqërojë gëzimi e hareja, do të zhduket trishtimi e dënesa. Fjala e Zotit
Ps 146/145
Ref. Eja o Zot, e na shpëto.
Zoti e mban besnikërinë për amshim,
që u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqimin të uriturve.
Zoti i çliron robërit.
________________________
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët,.
_______________________
Undihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
Leximi i dytë (Jak 5, 7-10)
Forconi zemrat tuaja, sepse Ardhja e Zotit u afrua!
Lexim prej letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, jini, pra, të durueshëm, o vëllezër, deri në ditën e Ardhjes së Zotit! Ja, edhe bujku e pret frytin e çmueshëm të tokës i durueshëm me të derisa ta kapë shiu i lashtë dhe i voni.Jini të durueshëm edhe ju, forconi zemrat tuaja, sepse Ardhja e Zotit u afrua! Mos u ankoni, vëllezër, njëri kundër tjetrit që të mos dënoheni! Ja: Gjykatësi qëndron para derës! Merrni, o vëllezër, për shembull të vuajtjes dhe të duresës profetët që folën në Emër të Zotit.Ja, të lumtur i quajmë ata që qëndruan në duresë. Për duresën e Jobit dëgjuat edhe qëllimin e Hyjit e patë se Zoti është shumë i mëshirshëm dhe i dhimbshëm. Fjala e Zotit
Aleluja!
Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t`u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm.
Aleluja!
Ungjilli (Mt 11, 2-11)
A je ti ‘Ai që do të vijë,’ apo duhet të presim një tjetër?
Leximi i ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, kur Gjoni që ishte në burg dëgjoi në burg për veprat e Krishtit, dërgoi nxënësit e vet për ta pyetur: “A je ti ‘Ai që do të vijë,’ apo duhet të presim një tjetër?” Jezusi iu përgjigj: “Shkoni e tregojini Gjonit çka po dëgjoni e çka po shihni: Të verbërit po shohin, të shqeptit po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen, të varfërve po u predikohet Ungjilli. I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!” Kur shkuan ata Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin: “Çka dolët të shihni në shkretëtirë? Kallamin që e luhat era? Apo çka dolët të shihni? Njeriun që vishet me petka të bukura? Ja, ata që vishen me petka të bukura, ata banojnë në pallate mbretërore! Po, pse atëherë dolët? Të shihni një profet? Po, po ju them: edhe më tepër se një profet, sepse Gjoni është ai, për të cilin Shkrimi i shenjtë thotë:‘Ja, unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje që ta bëjë gati udhën tënde para teje!’ Përnjëmend po ju them: nga ata që u lindën prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi, megjithatë, më i vogli në Mbretërinë e qiellit, është më i madh se ai. Fjala e Zotit