Leximi i parë (Lev 19, 1. 2. 17-18)
Duaje të afërmin tënd porsi vetveten
Lexim prej Librit të Levetikut
Zoti foli me Moisiun e tha: “Fol me mbarë bashkësinë izraelase e thuaju: Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj! Mos e urre në zemrën tënde vëllanë tënd. E ke detyrë ta qortosh bashkëvendasin, të mos kesh pjesë në mëkatin e tij. Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti. Fjala e Zotit
Psalmi 103(102)
Ref: Zoti është i mirë e i madh në dashuri.
_______________________
Bekoje, shpirti im Zotin,
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.
Bekoje, shpirti im Zotin,
e mos i harro bamirësitë e tija.
________________________
Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,
Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;
Ai ta shpëton jetën prej varrit,
ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,
________________________
Zoti është i mirë e i mëshirshëm,
i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.
Nuk zemërohet gjithherë
as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.
_________________________
Sa është lindja larg perëndimit
aq larg i hedh prej nesh fajet tona.
Sikurse baba ka dhimbje për fëmijët e vet,
ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.
__________________________
Leximi i dytë (1 Kor 3, 16-23)
Gjithçka është juaja, ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju? Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë e ky Tempull jeni ju! Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë. Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre. dhe përsëri:‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve, e di se janë të kota.’ Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja: Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhmja! Gjithçka është juaja, ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit! Fjala e Zotit
Aleluja!
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë, ti ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluuja
Ungjilli (Mt 5, 38-48)
Duani armiqtë tuaj.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha:“Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb’. Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. Atij që do të të qesë në gjyq për të të marrë këmishën, jepja edhe pallton. E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy; atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.” “Keni dëgjuar se qe thënë:‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd. E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët. Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët? Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!” Fjala e Zotit