Menu Schließen

Pashkët 05 .04.2015

SONY DSC

Misioni ynë, solemnisht kremtoj Javën e Madhe dhe Ditën e Pashkëve.

Pashkët janë festë e promovimit dhe mbrojtjes së jetës, vlerave jetësore në përgjithësi, mbi të gjitha për të krishterët janë festë e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen dhe të jetës mbi vdekjen.

Të Enjten u kremtua Mesha e Darkës së Fundit, gjatë së cilës përkujtojmë themelimin e sakramentit të Eukaristisë dhe të Meshtarisë. Më pas, tradita e larjes së këmbëve, gjest që shpreh çartë porosinë që Krishti u jep apostujve, për të qënë gjithmonë në shërbim të besimtarëve. Mesha u kremtua në Luzern, ku për apostuj janë zgjedhur të moshuar e të rinj, duke theksuar kështu përgjegjësinë e secilit, për të dëshmuar sa më mirë porosinë e Krishtit. Pas meshe, don Agimi u dha secilit prej apostujve si dhuratë simbolike bukë dhe verë. Gjithashtu, ishte një apero i përbashkët për të gjithë pjesëmarrësit në meshë e më pas vazhdoj adhurimi para të shenjtënushmit Sakrament deri në orën 24:00. Gjatë adhurimit patën mundësi të rrëfehen shumë besimtarë.

Të Premten e Madhe, në Einsiedeln u mbajt devocioni i Udhës së Kryqit nga tri Misionet Katolike Shqiptare në Zvicër (Luzern, Sirnach dhe Aarau). Morën pjesë mijëra besimtarë. Kjo është një përvojë e mirë që Zoti na bashkon në tempujt e shenjtë, ku si vëllezër e motra me njëri-tjetrin, përkujtojmë ngjarjet të cilat Zoti i bëri për ne, mbi të gjitha duke e përjetuar praninë e Tij. Në mbrëmje, në Luzern, u mbajt liturgjia e të Premtes së Madhe që përmban Shërbesën e fjalës, Adhurimin e Kryqit dhe Kungimin. Pas këtyre riteve vazhdoi edhe tradita e ruajtjes së varrit të Krishtit deri në orën 24:00, ku gjatë gjithë kohës kishte të pranishëm në lutje besimtarë të shumtë, të moshave të ndryshme.

Ditën e të Shtunës së Madhe Kisha nuk kremton meshë, por është në meditim para Varrit të Krishtit i cili pret Ngjalljen e tij të lavdishme. Gëzimi i Pashkëve fillon me meshën e Vigjiljes së Pashkëve që është në mbrëmje ose në orët e vona të së shtunës. Në Luzern ritet filluan në orën 21. Në fillim ishte bekimi i zjarrit që është shenjë e jetës që shndritë dhe ngrohë. Prej tij ndizet qiriu i Pashkëve që simbolizon Krishtin e Ngjallur. Pas paraqitjes së dritës, misionari ynë don Agim Qerkini solemnisht e këndoj himnin e Qiriut. Liturgjia vazhdoi me leximin e Fjalës së Zotit, bekimin e ujit, përtëritjen e premtimeve të pagëzimit dhe shërbesës Eukaristike. Në fund të këtij kremtimi ishtë bekimi i bukës së Pashkëve.

Të dielën e Pashkëve në Misionin e Luzernit ishin dy meshë: Në Godau dhe Sursee. Shumë kohë para fillimit të kremtimeve, kishat ishin të stërmbushura me besimtarë. Ishte për tu lëvduar pjesëmarrja e tyre aktive në lutje dhe rregulli gjatë gjithë kremtimit edhe pse shumë prej tyre ishin në këmbë.

Në predikimin e rastit në Sursee, udhëheqësi i Misionit, misionari don Agim Qerkini, foli për Pashkët si festë e jetës, se Zoti është Zot i jetës. Përshkroi Pashkët tona tradicionale e theksoj se Pashkët na ftojnë në falje dhe pajtim.

Duke u bazuar në porosinë e Ungjillit, ai iu drejtua sidomos të rinjve, të cilët sipas dëshmisë së Shën Gjonit, duhet t’i vlerësojnë të moshuarit që e kanë guximin dhe përvojën e jetës, mos ta harrojnë gjuhën e bukur shqipe, të gjejnë gjuhë të përbashkët me prindërit, t’i ruajnë vlerat dhe traditat tona të mira. Një vëmendje të veçantë tregoj ndaj të sëmurëve, duke u lutur për ta, pastaj për të varfërit, të krishterët e persekutuar në vende të ndryshme, me urimin që në botën mbarë të mbretëroj paqja e Zotit.

Në fund të meshës, don Agimi falënderoi të gjithë ata që kanë ndihmuar në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e festës, duke filluar nga Këshilli i Misionit, Motrat, Kori e ndihmës të tjerë.

Në fytyrat e të gjithëve shihej gëzim e hare edhe pse moti ishte paksa i ftohtë. Jehonin fjalët përshëndetëse – Për shumë mot Pashkët, me dëshirat për shëndet e bekim. Dhashtë Zoti që populli ynë te festoj i bashkuar, sepse është një Zot që na don dhe na bekon të gjithëve!

Koha e Pashkëve që zgjatë 50 ditë, është kohë gëzimi. Pra, për të kënduar edhe ne “Alelujën” e liturgjisë duhet të ringjallemi shpirtërisht me Krishtin duke filluar një jetë të re në paqe me Zotin dhe të afërmin.