Në ditët tona ky sakrament quhet edhe sakramenti i pajtimit, sepse shumëfish na pajton, si do të shohim më vonë. Sikurse çdo jetesë, gjithashtu edhe jetesa e krishterë din për mungesa ose sëmundje të veta.
Sëmundjet religjioze dhe morale janë mëkatet. Nëse dëshiron të shërohet ai që ka mëkatuar, duhet të përmirësohet. Kjo mënyrë e përmirësimit ose e shërimit quhet Pendesa
Qëllimi i pendesës është:
1. Përmirësimi i jetesës, ripërtëritja shpirtërore;
2. Pajtimi me Zotin, me vetveten dhe me të afërmin;
3. Satisfakcioni (pendesa) për mëkatet e bëra.
Kështu pra pendesa-rrëfimi ka një kuptim të trefishtë: nuk është vetëm një veprim kalues i rrëfimit të mëkateve, por aq më tepër është një qëndrim i ri ndaj Zotit, botës dhe jetës. Rrëfimi i vërtetë kërkon kthimin e përhershëm kah e mira. Ai është ndryshim i vetvetes, ripërtëritje, rilindje, kuptim i ri, rrugë dhe jetë e re.
Megjithatë, rrëfimi nuk është vetëm vepër njerëzore, por edhe fryt i hirit të Zotit. Nëpërmjet tij ne urrejmë mëkatin dhe çdo të keqe, dhe premtojmë se në të ardhmen do të ruhemi nga çdo e keqe, por njëkohësisht edhe dëshirojmë t`i japim Zotit satisfakcion për mëkatet e bëra deri tash. Rrëfimi është dhurata e Shëlbuesit, e cila ia kthen njeriut qetësinë e shpirtit me hirin shenjtënues që kemi humbur me mëkate të rënda ose mortare.
Krishti e themeloi këtë sakrament kur u tha Apostujve: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që ua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk ua falni, nuk u falen”. Të njëjtin pushtet apostujt ua lanë trashëgimtarëve të tyre ipeshkvijve, e këta ndihmësve të vet meshtarëve. Ne çdo rrëfim elementi më kryesor është pendimi, pa të cilin s`mund të kemi faljen e mëkateve. Duhet të na vijë keq se me mëkate e kemi fyer zotin, Atin tonë. Gjithashtu nuk ka pendim të vërtetë pa premtim se do të përmirësohemi dhe do të largohemi nga e keqja.
Pendesa është një shenjë e dukshme se dëshirojmë, me mundimet e Krishtit, t`i japim satisfakcion të duhur Atit tonë. Rrëfeju, pra, sa më shpesh, nëse dëshiron që të kalosh një jetë të qetë. Por, përherë rrëfeju me një pendim të vërtetë dhe me një premtim të fortë, që do t`i plotësosh me ndihmën e Krishtit.
Lutja para Rrëfimit
O Zot, po të falem nderës për të gjitha të mirat që më ke bërë, por sidomos pse më ke krijuar, pse më ke falur fenë e shenjtë tënden dhe pse më ke shpërblyer me gjakun e Jezu Krishtit të mëshirshëm.
Të lutem m`i fal mëkatet e mia, dhe më jep një shpirt pendimi të vërtetë.
Shpirti shenjt, që shenjtëron zemrat, ma jep një shpirt pendimi të vërtetë.
Shpirti Shenjt, që shenjtëron zemrat, ma shndrit mendjen t`i gjejë të gjitha mëkatet e mia dhe më jep zemër të pendohem për to.
Rrëmimi i mëkateve (përpiqem ti rikujtoj mëkatet e bëra)
Gjatë rrëmimit të shpirtit ki ndër mend se: njeriu mund të mëkatojë me mendime, dëshira, fjalë, vepra dhe duke mos plotësuar detyrat, e jo vetëm me fjalë;
Mëkati më i rëndë ose mortar është një shkapërcim vullnetar i urdhërimeve të Zotit ose të Kishës në një gjë të madhe ose të rëndë, që kemi bërë me dije të plotë. Tashti mendo: a je duke iu afruar rrëfimit me zemër të sinqertë dhe me vullnet të ripërtërish jetën tënde dhe miqësinë me Zotin? Mandej mendo se kur je rrëfyer herën e fundit? Mos ke harru ndonjë gjë pa thënë? A e ke kryer pendesën, kompensuar dëmin dhe padrejtësinë që i ke shkaktuar të afërmit? A je me secilin në paqe?
Ja një ndihmë, mënyrë për shqyrtuar sa më mirë ndërgjegjen para çdo rrëfimi:
I. Krishti ka thënë: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde”. Prandaj unë po pyes vetveten para Zotit:
1. A e kam zemrën të drejtuar kah Zoti, kështu që atë ta dua mbi të gjitha gjërat tjera British Columbia , duke plotësuar besnikërisht urdhërimet e tija, njashtu si do i Biri Atin? Mos kujdesem më tepër për gjërat e kësaj jete?
2. A kam një besim të vërtetë në Zotin, i cili na foli nëpërmjet Birit të vet Jezu Krishtit? A e pranoj veten si të krishterë faqe botës, apo ndoshta me vjen turp për këtë gjë para tjerëve?
3. A i lutem Zotit çdo ditë? A ia paraqes punët e mia, gëzimet dhe vuajtjet?
4. A e nderoj si duhet emrin e tij? Mos e marr nëpër gojë kot? Mos e dhunoj me sharje, me be në rrenë?
5. A kam marrë pjesë në meshë ditën e diel dhe të kremteve të mëdha? A jam vonuar në meshë pa ndonjë arsye? A e kam kryer rrëfimin dhe kungimin për Pashkë?
6. Mos kam ndoshta “zota të tjerë”, që më shqetësojnë më tepër se Zoti i vërtetë, siç janë paret, pasuria, karriera, nami, fama para njerëzve?
II. Krishti ka thënë: “Sikurse unë ju desha juve, duani edhe ju njëri tjetrin”. Prandaj të pyesim vetveten:
1. A dua përnjëmend të afërmin tim, apo ndoshta vetëm atëherë, kur kam ndonjë interes? A i bëj atë çka nuk dëshiroj të më bëjnë mua të tjerët?
2. A jam munduar, me duresë dhe dashuri të vërtetë të bëj që të gjithë anëtarët e familjes të janë të lumtur dhe të kënaqur? A u ndihmojë në pikëpamje materiale dhe shpirtërore? Prindërit a kujdesohen për edukimin fetar të fëmijëve? Bashkëshortët a janë besnikë njëri tjetrit dhe a jetojnë në paqe dhe dashuri?
3. A kam ndihmuar skamnorët, nevojtarët, të mjerët, pleqtë dhe ata, të cilët kanë pritur ndihmë prej meje?
4. A jam kujdesuar për Kishën, a kam dhënë për nevojat e saja, lutur për bashkimin e saj, për paqe dhe drejtësi në botë?
5. A e kam kryer punën dhe detyrën time përherë me nderë, duke mos mashtruar askënd?
6. A i kam dalë zot gjithmonë të drejtës, apo ndoshta me fjalë të rrejshme, shpifje, prozhmime kam shkaktuar dëm të afërmit?
7. A e kam ruajtur jetën e tjetërkujt? A kam skandalizuar të tjerët me fjalë, vepra dhe sjellje? A kam ndërmarrë ndonjë gjë kundër fëmijëve të pafaj, të cilët ende s`kanë lindur? A kam drejtuar veturën në mënyrë të arsyeshme, apo në gjendje të palejueshme?
8. Mos kam vjedhur gjë? E gjënë e vjedhur a e kam kthyer dhe dëmin shpërblyer?
9. Nëse ndokush më ka bërë padrejtësi, a jam i gatshëm, i frymëzuar nga dashuria e Krishtit, të pajtohem me të dhe të harroj atë gjë?
III. Krishti Zot ka thënë: “Jini, pra, të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell”. Prandaj të shqyrtohemi:
1. çfarë është drejtimi im jetësor? A jam duke përparuar në jetën shpirtërore, të cilën duhet t`a ushqej me uratë të rregullt, me të dëgjuarit e fjalës së Zotit dhe me marrjen e sakramenteve? A jam i gatshëm të frenoj epshet e mia? A kam lartësuar vetveten, kurse përbuzur dhe poshtëruar të tjerët?
2. A kam përdorur me urti aftësitë, dhuratat dhe talentet që më ka falë Zoti? Për të mirën time dhe të tjerëve?
3. A kam duruar vështirësitë dhe mjerimet jetësore me durim dhe me besim të plotë në Zotin? A kam mbajtur ligjin kishtar mbi agjërimin?
4. A i kam ruajtur të pafajshme dhe të pastra ndjenjat e mia dhe trupin tim porsi tempullin e Shpirtit Shenjt? A kam kontrolluar fjalët, mendimet, dëshirat dhe veprat e mia? A kam lexuar, biseduar dhe këqyrur atë, çka i kundërshton nderit njerëzor dhe të krishterë? Mos kam nxitur, me sjelljen time, ndokënd në mëkat? E në kurorë a i kam përmbushur përherë ligjet morale?
5. Mos kam vepruar kundër ndërgjegjes sime nga frika ose dyfytyrësia?
6. A jam munduar gjithnjë të veproj porsi bir i lirë, sipas ligjit të Shpirtit Shenjt, apo ndoshta kam qenë skllav i epsheve të mia?
Kalo nëpër mend veset kryesore, detyrat e veçanta që rrjedhin prej thirrjes sate. Mandej pendohu me gjithë zemër. Hyn në rrëfyestore, bjer në gjunjë, bëj kryq, tregoj meshtarit qysh kur s`je rrëfyer. Mandej me rend tregoj të gjitha mëkatet: më parë ato të rëndat, si edhe numrin e mëkateve. Më parë ato të lehtat sa të bien ndër mend. Dëgjo mirë këshillat dhe mbaj në mend pendesën që të ka caktuar rrëfyesi dhe, gjersa të jep zgjidhjen, thuaj me gjithë zemër punën e pendimit.
Lutje mbas rrëfimit
O Zot, të falem nderës për këtë të mirë kaq të madhe që më ke bërë duke më falur mëkatet e mia. Më jep, po të lutem, hiret e nevojshme të qëndroj në dashurinë tënde dhe mos të bie më kurrë në mëkatet të rënda.