01.05. Në të premten e parë të muajit, në ora 18:30 në kapelën e Misionit në Luzern ishte adhurimi me të shenjtnueshmin Sakrament, gjatë adhurimit ishte mundësia për rrëfim, pastaj u kremtua mesha shenjte. Në pretkun e rastit don Agimi porositi që gjithmonë të kemi guxim të mbështetemi në Zemrën e Jezusit, Zotit tonë. Ai pret ta shuajmë etjen e Zemrës së tij duke e adhuruar… Pastaj ua kujtoj besimtarëve se muaji më i bukur, maji, është i kushtuar më të bukurës, Zojës së Bekuar. Ajo ndërmjetëson vazhdimisht para Zotit për bijtë e saj dhe kërkoi që në familjet e Misionit të përtërihet përherë e më shumë shpirti i lutjes. Pasi qe ishte edhe festa e shën Jozefit punëtor, porositi prindërit që shën Jozefin ta kenë gjithmonë shembull dhe ndërmjetësues të fortë në udhëheqjen e familjeve. Pas meshe ishte një apero e përbashkët e organizuar nga Misioni. E falënderojmë Zotin që na jep mundësi që herë pas here të jemi së bashku në meshën shenjte dhe në sofra vëllazërore.