Menu Schließen

Ngjyrat liturgjike

Ngjyrat dhe petkat liturgjike në përgjithësi shprehin natyrën dhe kohërat e ndryshme të festave që kremtojmë gjatë vitit kishtar. Edhe pse për një kohë të gjatë ngjyrat nuk kanë luajtur ndonjë rol të veçantë, me kohë, edhe ato kanë marrë rëndësinë e vet në përdorimet liturgjike dhe u është dhënë kuptim i qartë për porosinë dhe domethënien e tyre.

Rregullorja e Përgjithshme e Mesharit Romak kur flet për qëllimin e larmisë së ngjyrave të petkave të shenjta, thotë se ato kanë për qëllim të shprehin frytshëm edhe për së jashtmi karakterin e veçantë të mistereve të kremtuara të fesë dhe ndjenjën e kalimit të jetës së krishterë nëpër vitin liturgjik (Nr. 345). Në vazhdim, Rregullorja përshkruan çartë përdorimin e ngjyrave gjatë vitit liturgjik (Nr. 346-347), ndërsa, këtu po sjellim disa fakte që kanë të bëjnë me ngjyrat dhe simbolikën apo rëndësinë e tyre në jetën e Kishës.

Marrë para sysh rëndësinë e petkave liturgjike dhe simbolikën e tyre, megjithëse jo të shkallës së parë, atëherë edhe ngjyrat e tyre shprehin rëndësinë e vet në raport me to dhe frymën pastorale. Kisha, pas Koncilit të dytë të Vatikanit, edhe më shumë provon të zbuloj dhe tu jep fuqinë simbolike elementeve të ndryshme që janë të pranishme në liturgji. Kështu, sikur petkat, ashtu edhe ngjyrat janë një çështje serioze të cilat duhet të përshtaten dhe kështu të shprehin më mirë fuqinë dhe porosinë që kanë.
Në të gjitha kulturat e popujve të ndryshëm, ngjyrat janë mundësi e të shprehurit të ndjenjave dhe vlerave shpirtërore. Këtë fakt e hasim edhe në gjuhën biblike dhe fjalorin e profetëve. Në shumë raste, ata përdorin ngjyrat për të shprehur, apo për t’iu referuar gjendjes shpirtërore të njerëzve. Kështu, Isaia profet, kur fton njerëzit të pushojnë së bëri keq, flet për gatishmërinë e përhershme të Zotit i cili falë. Pas pendimit, mundësinë e pajtimit me Zotin, Isaia e përshkruan duke përdorur edhe ngjyrat kur thotë: “Edhe në qofshin mëkatet tuaja kuq si gjaku, do të bëhen bardhë si bora” (Is 1, 18).
Në shekujt e parë, të krishterët, në kuptimin e thellë të fjalës nuk kanë pasur ndonjë rregull të caktuar të përdorimit të ngjyrave. Më shumë bëhet fjalë për përdorimin e “petkave të shkëlqyera” e që lë të kuptohet përdorimin e ngjyrave të ndryshme. Më shumë se shtatë shekuj ngjyrat edhe nuk kanë luajtur ndonjë rol të veçantë. Kështu, nga mesi i shekullit VIII ka dëshmi se fillojnë të caktohen norma për petkat liturgjike, mirëpo çështja e ngjyrave edhe më tej mbetet e lirë dhe e padefinuar mirë.
Në periudhën karoline kemi një përdorim më të definuar të ngjyrave dhe petkave liturgjike. Por, edhe më të definuar e hasim në shekullin e XII, kur në Jeruzalem fillojnë të përdoren ngjyrat për kohë dhe festa të caktuara liturgjike. Kështu, aty mësojmë se në kohën e Ardhjes përdorej ngjyra e zezë; për Krishtlindje, ngjyra e kuqe, e artë dhe e bardhë; në përkujtimet e martirëve, e kuqe; Kushtimi i Zotit, e zezë; gjatë Kreshmëve e zezë; për Pashkë e bardhë; të Shëlbuemit, e kaltër; për Rrëshajë, e kuqe etj.
Gjatë mesjetës, çështjes së ngjyrave do ti jepet një rëndësi më e madhe, dhe qysh atëherë përzgjidhen 5 ngjyra për përdorim në liturgji: ajo e bardhë, e kuqe, e gjelbër, e zezë dhe vjollcë. Ngjyra e gjashtë të cilën e përdorim në të dielën e tretë të Ardhjes, e diela e gëzimit – Gaudete, është ngjyra rozë. Kjo ngjyrë në të kaluarën është përdorur edhe të dielën e katërt të Kreshmëve – e njohur si Laetare. Është ngjyrë e përafërt me atë vjollcë dhe shpreh gëzimin e parë për festën që po afrohet, të Krishtlindjes, përkatësisht të Pashkëve.
Ngjyra e kaltër, sikur ajo rozë, nuk bën pjesë në kodin liturgjik të ngjyrave, por që nga mesjeta është përdorur në festa të Zojës së Bekuar. Është ngjyrë e besnikërisë.

Normat e sotme të ritit romak perëndimor parashohin ruajtjen tradicionale të këtyre ngjyrave:

  1. Ngjyra e kuqe – e cila përdoret në liturgji të dielën e Larit, të premten e Madhe, për Rrëshajë, në festa të apostujve, të Ungjilltarëve dhe të martirëve. Kjo ngjyrë ngjallë vetëdijen për zjarrin e Shpirtit Shenjt, zjarrin e dashurisë që na aftëson për dëshmi deri në martirizim.
  2. Ngjyra e gjelbër përdoret në kohën e quajtur “gjatë vitit”, pas kohës së Krishtlindjes deri para Kreshmëve, dhe pas Rrëshajëve deri para kohës së Ardhjes. Kjo ngjyrë është ngjyrë e shpresës, e kujdesit dhe jetës. Ajo shprehë rregullsinë, ecjen tonë plotë shpresë.
  3. Ngjyra vjollcë përdoret në kohën e Ardhjes dhe të Kreshmëve, si dhe në raste të salikimeve. Është një ngjyrë e fortë dhe solemne, një ngjyrë e qetë që në të njëjtën kohë shpreh vuajtje dhe shpresë. Ngjyra vjollcë fitohet nga ajo e kuqe dhe e kaltër e mbyllur. Kjo ngjyrë shpreh gjendjen e reflektimit, pendesës dhe kthimit shpirtëror. Edhe gjatë rrëfimeve, meshtari përdorë stolën ngjyrë vjollcë, sepse, kjo ngjyrë shpreh pendimin, pastaj përdoret edhe në meshët për të vdekurit dhe në ditën e përkujtimit të shpirtrave të Purgatorit.
  4. Ngjyra e bardhë parashihet për të gjitha kremtimet tjera të festave dhe përkujtimeve të shenjtërve. Është ngjyrë e kthjelltësisë, e pastrisë, e pafajësisë dhe festës si ngjyrë e Ringjalljes. Përdoret në kohën e Krishtlindjes dhe Pashkëve, të Enjten e Madhe, pastaj në festa nderë e lavd Jezu Krishtit, për festa të ndryshme të Zojës së Bekuar, të shenjtërve dhe engjëjve.
  5. Ngjyra e zezë është ngjyrë pikëllimi. Ajo përdorej para së gjithash gjatë salikimeve dhe meshëve për të vdekur. Para disa dekadave meshoret e tilla me ngjyrë të zezë, janë zëvendësuar me ato të përhimët, për ta lidhur pikëllimin njerëzor me shpresën e Ringjalljes.

Në fund, vlen të thuhet se rëndësia e ngjyrave lidhet ngushtë me porosinë që kanë sa u përket kremtimeve liturgjike. Ngjyrat e shprehin kuptimin e plotë të kremtimit dhe nuk mbeten vetëm si dekor, sidomos nëse përcillen me dëshminë e fortë të bashkësisë e cila angazhohet ta jetoj mësimin ungjillor. Në këtë aspekt, ngjyrat nga jashtë ndihmojnë harmonizimin e plotë të gjendjes sonë shpirtërore, e cila reflektohet në zhvillimin e riteve dhe në përgjithësi të jetës liturgjike.

Përgatiti: Don Agim QERKINI