Menu Schließen

JAVA XXXIII – E DIEL viti – C

Leximi i parë (Mal 3, 19-20)
Do t’ju lindë dielli i drejtësisë.

Lexim prej Librit të Malakisë profet

Ja, po vjen dita e ndezur flakë porsi furra! Të gjithë krenarët dhe ata që bëjnë prapësi do të jenë kashtë. Do t’i djegë Dita që po vjen – thotë Zoti i Ushtrive – e s’do t’u lërë as rrënjë as gem! Kurse për ju që e keni frikën e Emrit tim do t’ju lindë dielli i drejtësisë me rreze shëndetsjellëse e do të dilni e do të kërceni porsi viçat në kullotë! Fjala e Zotit

Psalmi 98 (97)

Ref. Eja, o Zot, për të gjykuar botën
_____________________
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
_____________________
Le të buçasë deti me ç’ka në të,
rruzulli me banuesit e tij;
lumenjtë le të duartrokasin
e malet le të gërthasin me hare.
_____________________
Le të gërthasin me hare
para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi
e popujt me maturi.
__________________

Leximi i dytë (2 Sel 3, 7-12)
Kush nuk do të punojë, as mos të hajë.

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, ju vetë mirë e dini se e keni për detyrë ta ndiqni shembullin tonë. Ne, kur jetuam ndër ju, nuk jetuam në përtaci: bukën askujt nuk ia lypëm dhuratë, por punuam natë e ditë me mund e lodhje që të mos i bëheshim ndokujt prej jush barrë. Jo sikur të mos kishim pasur të drejtë në ndihmën tuaj, por vetveten ju dhamë për shembull – që të na përngjani. Këndej, kur ishim ndër ju, ju patëm dhënë këtë urdhër: «Kush nuk do të punojë, as mos të hajë!»
Tani po dëgjojmë se disa ndër ju jetojnë në papunësi: nuk punojnë asgjë dhe e humbin kot kohën. Të tillëve ju urdhërojmë dhe u qesim be Zotin Jezu Krisht, le të punojnë në paqe dhe le ta hanë bukën që e fitojnë vetë! Fjala e Zotit

Aleluja!
Rrini zgjuar, sepse nuk dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj!
Aleluja!

Ungjilli(Lk 21, 5-19)
Më qëndresën tuaj do të shëlboheni.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, kur disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha: »Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbretet as gur mbi gur pa u rrënuar.« E pyetën: »Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?» Ruajuni – u përgjigji – të mos t’ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë nën emrin tim e do t’ju thonë: ‹Unë jam!› dhe: ‹U afrua koha!› Mos shkoni pas tyre! E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.« Atëherë u tha: »Do të ngrihet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të përfrigueshme dhe shenja të mëdha nga qielli. Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim. Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi. Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, 15sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj. Do t’jua padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin. Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj!« Fjala e Zotit