Leximi i parë (2 Sam 5, 1-3)
Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin
Lexim prej Librit të dytë të Samuelit
Në ato ditë, erdhën të gjitha fiset e Izraelit te Davidi në Hebron dhe i thanë: “Ja, ne jemi ashti yt dhe mishi yt. Po edhe më parë, kur Sauli ishte mbreti ynë, ishe ti ai që i drejtoje të gjitha lëvizjet e Izraelit. Edhe Zoti të ka thënë: ‘Ti do ta kullotësh popullin tim Izraelin dhe ti do të jesh prijës mbi Izraelin’.” Po ashtu erdhën edhe të gjithë pleqtë e Izraelit te mbreti në Hebron, dhe Davidi mbret lidhi besëlidhje me ta në Hebron në praninë e Zotit. Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin. Fjala e Zotit.
Psalmi 122 (121)
Ref: Ku është Zoti, aty mbretëron paqja
_______________________
Sa u gëzova kur më thanë:
“Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!”
Ja, tashmë këmbët tona shkelën
në dyert e tua, o Jerusalem!
______________________
O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri,
thuaj se i tëri një copë të vetme je!
Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,
sipas rregullores në Izrael,
për të kremtuar Emrin e Zotit.
______________________
Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,
selitë e shtëpisë së Davidit!
Lutuni për paqen e Izraelit:
“U priftë e mbara atyre që të duan ty!”
_______________________
Leximi i dytë ( Kol 1, 12-20)
Zoti na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve
Vëllezër, ta falënderojmë Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë. Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur, në të cilin kemi shpërblimin, faljen e mëkateve. Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i Parëlinduri, para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë Fronet, qoftë Zotërimet, qoftë Principatat, qoftë Pushtetet: gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të. Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të. Ai është Kryet e Trupit, Kishës; Ai është fillimi, i Parëlinduri ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i Pari. Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë plotësia dhe, me anë të Tij, duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit të Tij, të pajtojë me vete gjithçka, qoftë në tokë qoftë në qiell. Fjala e Zotit.
ALELUJA!
Qoftë bekuar Ai që vjen në Emër të Zotit!
Qoftë bekuar Mbretëria e Tij që po vjen.
ALELUJA!
Ungjilli Lk 23, 35-43
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, populli rrinte aty e po kundëronte. Anëtarët e Këshillit të Lartë e përqeshnin duke thënë: “Tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit, i zgjedhuri!” Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!” Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.” Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente: “Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!” Por ai tjetri e qortoi shokun: “As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky – ky s’bëri asnjë të keqe!” Dhe tha: “Të bie ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!” E Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parriz.” Fjala e Zotit.