Menu Schließen

E DIELA E PARË ARDHJES – A

 

Leximi i parë (Is 2, 1-5)
Zoti i bashkon të gjithë popujt në paqen e amshuar të Mbretërisë së Hyjit.

Lexim prej librit të Isaisë profet
Vegimi që pa Isaia, biri i Amosit, në lidhje me Judenë e Jerusalemin. Do të ndodhë në kohën e ardhshme: mali i Shtëpisë së Zotit do të vendoset mbi majën e maleve, e do të ngallitë përmbi kreshta dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai. Tek ai do të shkojnë shumë fise e do të thonë: «Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit që të na i mësojë udhët e tij e të ecim shtigjeve të tij.» Sepse nga Sioni do të dalë Ligji dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit. Ai do të jetë gjykatësi i popujve dhe do t’i gjykojë fiset e shumta, shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngritë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë. Eja, o shtëpia e Jakobit, të ecim në dritën e Zotit! Fjala e Zotit

Psalmi 122 (121)
Ref. TË shkojmë me gëzim në takim me Zotin

Se ç’u gëzova kur më thanë:
«Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!»
Ja, tashmë këmbët tona shkelën
në dyert e tua, o Jerusalem!
______________________

Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,
sipas rregullores në Izrael
për të kremtuar Emrin e Zotit.
Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,
selitë e shtëpisë së Davidit!
_____________________

Lutuni për paqen e Izraelit:
«U priftë e mbara atyre që të duan ty!
Mbretëroftë paqja në muret e tua
dhe qetësia në pirgjet e tua!»
__________________

Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi
do të them: «Paqja me ty!»
Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë,
do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!

Leximi i dytë (Rom 13,11-14)
Shëlbimi ynë është afër.

Lexim prej letrës Shën Palit apostull drejtuar Romakëve.
Vëllezër, aq më tepër mbasi e dini kohën në të cilën jetojmë: tanimë është koha të zgjoheni nga gjumi, sepse tash shpëtimin e kemi më afër se kur besuam. Nata ka shkuar në të sosur e dita është afruar. Prandaj, t’i flakim larg veprat e errësirës e të ngjishemi me armët e dritës. Të ecim me nder, porsi ditën, jo në gosti e zdërhallje, jo në fëlligështi e në shfreni, jo në grindje e në smirë.  Por, vishuni me Jezu Krishtin Zot e në kujdes për trup, mos i kënaqni prirjet e ulta. Fjala e Zotit

Aleluja!
Na e dëfto, o Zot, mëshirën tënde dhe na jep shëlbimin tënd.
Aleluja!

Ungjilli (Mt 24, 37-44)
Zgjohuni, që të jini të gatshëm për ardhjen e Tij.

Leximi i ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: «Si qe në ditët e Noehit – ashtu do të jetë edhe Ardhja e Birit të njeriut, dhe, sikurse në ditë para përmbytjes, njerëzit hanin e pinin, merrnin gra e gratë burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë, e nuk ua preu mendja se do t’u ndodhte gjë derisa s’erdhi përmbytja e i fshiu: ashtu do të jetë edhe në Ardhjen e Birit të njeriut. Atëherë, prej dy vetëve, që kanë për t’u gjetur në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet, prej dy grave që do të bluajnë në mokër, njëra do të merret e tjetra do të lihet. Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj! E mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë të natës i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t’i thyhej  shtëpia. Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.» Fjala e Zotit