Leximi i parë (Sir 24, 1-4.12-16)
Urtia e Zotit erdhi për të banuar në popullin e zgjedhur.
Lexim prej Librit të Siracidit
Urtia lëvdon vetveten, në Hyjin e gjen nderin dhe do të mburret në mes të popullit të vet, në bashkim të Tejetlartit do ta çelë gojën dhe lëvdohet në praninë e tij: lartësohet në mes të popullit të vet, do të çmohet me nderim në mbledhjen e shenjtë, lavdi do të ketë në turmën e të zgjedhurve dhe në mes të bekuarve do të bekohet. Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë, Ai që më krijoi mua, paqe i dha banesës sime duke më thënë: ‘Ngule banesën ne Jakob e merre për pronë Izraelin dhe lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi.’ Që në fillim, para çdo kohe, kam qenë krijuar dhe s’do të pushoj të jem askurrë! Para tij kam shërbyer në Tendën e shenjtë e kështu kam ngulur banesën në Sion. Kështu më dha pushim në qytetin e dashur dhe pushtetin e kam në Jerusalem. Kështu u rrënjosa në një popull të ndershëm, në pjesën e Zotit, në trashëgimin e tij, dhe banimi im është në mesin e shenjtërve. Fjala e Zotit
Psalmi 147
Ref. FJALA E ZOTI U BË NJERI E BANOI NDËR NE
Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,
madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,
i bekoi bijtë e tu në ty!
_____________________
Ai ua siguron kufijve të tu paqen,
ai të ushqen me palcën e grurit.
Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,
lajmi i tij vrapon me shpejtësi.
_____________________
Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,
drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:
asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.
Leximi i dytë (Ef 1, 3-6.15-18)
Zoti na parashënoi që të jemi bij të tij në shpirt.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Qoftë bekuar Hyji. Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në Të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit: Prandaj edhe vetë, që kur dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë kundrejt të gjithë shenjtërve, nuk pushoj së falënderuari për ju e së kujtuari ju në lutjet e mia, që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër. Fjala e Zotit
Aleluja!
Lavdi ty, o Krisht, i predikuar ndër paganë; lavdi ty, o Krisht, i besuar në botë
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 1, 1-18)
Fjala u bë njeri e banoi ndër ne.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi. Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por ‑ për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. 11 Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bij të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut por ‑ Hyji. E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hir e të vërtetë. 15 Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!’“ Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm ‑ që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet. Fjala e Zotit