Leximi i parë ( Is 8, 23: 9, 1-3)
Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Në kohën e kaluar e përbuzi tokën e Zabulonit e tokën e Neftaliut, por në kohën e fundit do ta bëjë të lavdishme udhën përgjatë detit, përtej Jordanit, Galilenë pagane. Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita. Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë. Sepse ti e thyeve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë, guzhmën e krahut të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara. Fjala e Zotit
Psalmi 27 (26)
Ref. Zoti është frita ime she shëlbimi im.
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
kë do të kem frikë?
Zoti më fsheh në tendën e vet
në ditë të vështirë,
________________
Për një gjë të vetme i lutem Zotit,
vetëm atë ia kërkoj
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit
të gjitha ditët e jetës sime,
që ta shijoj kënaqësinë e Zoti
e ta vërej shtëpinë e Zotit
________________
Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.
Shpreso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!
Leximi i dytë ( 1Kor 1,10-13.17)
Jini të gjithë një mendimi e mos të ketë përçarje ndër ju.
Lexim prej Letrës së parë të shën palit apostull drejtuar korintasve
Ju përbej, o vëllezër, pashë Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: jini të gjithë një mendimi e të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me ndjenja e në mendime. Sepse, o vëllezër, njerëzit e Klojes më lajmëruan se mes jush ka grindje.Ja, ku e kam fjalën: secili prej jush thotë: “Unë jam i Palit!” “Unë i Apolit!” “Unë i Kefës!” “Unë jam i Krishtit!” Vallë, a qenka Krishti i ndarë? A mos u kryqëzua Pali për ju? Apo u pagëzuat në emër të Palit? Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit. Fjala e Zotit
Aleluja!
Jezusi predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë.
Aleluja!
Ungjilli ( Mt 4, 12-23)
Erdhi në Kafarnaum që të shkonte në vend fjala e Isaisë profet.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit, që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet: “Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit, në drejtim të detit, përtej Jordanit, Galileja pagane, populli që gjendej në errësirë, pa një dritë të madhe; atyre që banonin në krahinën e hijes së vdekjes u lindi drita.” Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër! Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër ‑ Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish! Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij. Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllëzër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri. Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij. Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë. Fjala e Zotit