Leximi i parë (Ez 37, 12-14)
Do t`jua japshpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën
Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do t’i hap varret tuaja dhe do t’ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im, dhe do t’ju shtie në tokën e Izraelit. Do ta dini se unë jam Zoti kur t’i kem hapur varret tuaja e t’ju kem nxjerrë nga varret tuaja, o populli im! Do t’jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën dhe do t’ju vendos në tokën tuaj. Ju do ta dini se unë jam Zoti. Çka them unë, atë edhe e bëj ‑ thotë Zoti Hyj.” Fjala e Zotit
Psalmi 130(129)
Ref. Zoti është mirësia dhe mëshira
______________________
Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,
o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu,
zërin e lutjes sime.
___________________
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por tek ti gjendet falja
që të dimë të të druajmë.
_____________________
Shpresoj në ty, o Zot,
shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin
më tepër se rojtarët agimin.
_________________
le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira
dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
Ai do ta nxjerrë Izraelin
prej të gjitha paudhësive të tija.
Leximi i dytë (Rom 8, 8-11)
Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit jezusin banon në ju
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju. Fjala e Zotit
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Unë jam Ringjallja dhe jeta, thotë Zoti, kush beson në mau, edhe nëse vdes, do të jetojë.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Gjn 11, 3-7. 17. 20-27. 33-45)
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë Marta dhe Maria i çuan fjalë Jezusit:« Zotëri, ai që ti e do është i sëmurë.”Jezusi, kur dëgjoi, tha: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdi të Hyjit, që të nderohet në saje të saj i Biri i Hyjit.” Jezusi e kishte fort për zemër Martën, motrën e saj dhe Lazrin. Megjithatë, kur mori vesh për sëmundjen e tij, u ndal edhe dy ditë në atë vend ku ndodhi. Veç atëherë u tha nxënësve:«Ejani të shkojmë prapë në Jude.« Kur, pra, Jezusi arriti, mori vesh se ai ishte varrosur para katër ditësh. Kur Marta mori vesh se po vinte Jezusi, i doli para, kurse Maria ndenji në shtëpi. Atëherë Marta i tha Jezusit:“Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. (Por) edhe tani e di se çkado që të lypësh prej Hyjit, Hyji do të ta japë.” “Do të ngjallet vëllai yt!” ‑ i tha Jezusi. “E di se do të ngjallet ‑ iu përgjigj Marta ‑ në ringjallje ‑ Ditën e fundit.”Jezusi iu përgjigj: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson ti këtë?” Marta iu përgjigj:“Po, Zotëri! Unë besoj se ti je Mesia, Biri i Hyjit ‑ ai që duhej të vijë në botë!” Jezusi, kur pa duke qarë atë dhe se po qanin edhe judenjtë, që po e përcillnin, u trand në shpirt, u turbullua dhe pyeti: “Ku e keni vënë?” “Zotëri, eja e shih!” ‑ iu përgjigjën. E Jezusit i ngufi vaji. Atëherë judenjtë thanë: “Shih, sa e ka dashur!” Disa prej tyre thanë: “A thua ky, që i dha dritën e syve të verbërit, nuk mundi të bëjë që ky të mos vdiste Pastaj Jezusi, përsëri i tronditur, arriti te varri. Ishte shpellë e grykën ia kishin zënë me një gur. Jezusi tha: “Hiqeni gurin!” Marta, motra e të ndjerit, i tha: “Zotëri, tashmë ka marrë erë! Ka tashmë katër ditë që ka vdekur!” “A nuk të thashë ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ nëse do të besosh, do ta shohësh lavdinë e Hyjit?” E hoqën, pra, gurin. Jezusi i çoi sytë kah qielli dhe tha:“O Atë, të falënderoj që ma dëgjove lutjen. Unë e dija se gjithmonë më dëgjon, por thashë kështu për shkak të popullit që më rrethon: që të besojnë se Ti më dërgove.” Si foli kështu, thirri me zë të lartë: “Lazër, dil jashtë!” Dhe, ai që pati vdekur, doli jashtë i lidhur duarsh e këmbësh me rripa pëlhure. Fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezusi u tha: “Zgjidheni dhe lëreni të ecë!” Atëherë shumë judenj që kishin ardhur te Maria, kur panë çka bëri Jezusi, besuan në të. Fjala e Zotit