Menu Schließen

Libri i jetës

Çështja e jetës është një e mirë që i përfshin të gjitha qeniet, porse është vetëm njeriu, i cili është i vetëdijshëm për këtë gjë dhe i vetmi ka aftësinë të reflektojë mbi këtë argument. Shkrimi i shenjtë na zbulon se Krijuesi ynë është Ai që na ndihmon ta kuptojmë faktin se kush jemi, por edhe qëllimin e të jetuarit tonë.
Në përditshmërinë tonë shpesh flasim për libra të ndryshëm, që ushqejnë mendjen e shpirtin tonë, flasim për regjistra e libra amzë, në të cilët shënohet ekzistenca jonë, pastaj identifikohemi me numra personal, si pjesëtarë të një bashkësie apo shteti të caktuar etj. Pra, plotë shënime të ndryshme, që regjistrohen në libra zyrtar për të na identifikuar, megjithëse jemi unik dhe të pa përsëritshëm. Kjo që ndodhë me mbretëritë dhe shtetet e kësaj bote, ndodhë edhe me mbretërinë qiellore, ku është një libër në të cilin regjistrohen emrat e banuesve të kësaj mbretërie: Shkrimi i shenjtë e quan Libri i Jetës.
Në Besëlidhjen e Vjetër, Hyji është dhënësi i jetës, dhe një nga titujt që shpesh e hasim për Hyjin është: I GJALLI, Hyji i Etërve. Edhe vet Hyji kur e zbulon Emrin e vet, flet për ekszistencën e vet të pa fillim e të pa mbarim, flet për jetën që nuk mbaron e nuk perëndon, është i amshuar: “Unë jam Ai që jam”!

Hyji është jetë
Për ta ilustruar këtë që e thamë, mund të merren disa shembuj që flasin në shërbim të jetës, frymës që na është dhuruar që në krijim.
Së pari, pasi që Hyji është i Gjalli, prej jetës së tij të gjithë ne kemi marrë dhuratën e jetës. Dhe jo çfarëdo jete, por krijesa të përkryera që kanë lirinë e plotë të vendosin për të ardhmen e vet. “Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet” (Zan 1, 27).
Së dyti, Shpirti i Hyjit – Jeta, na është dhuruar përmes shpirtit të Zotit (ruah – frymë, shpirt). Gjithçka që ka jetë, vjen prej frymës së Hyjit.
Dhe së treti, fjala është për jetën e mëkatarit. Mëkatari është njeri që përcaktohet si armik i jetës, ndërsa Zoti nuk e do vdekjen e tij. “Pasha jetën time – thotë Zoti Hyj – nuk e dua vdekjen e të patenzonit, por dua që i patenzoni të kthehet nga rruga e ligë e të jetojë!” (Ez 33, 11). Në kuptimin e thellë të fjalës, jeta është Jetë, atëherë kur ajo është e mbushur me vepra të mira e dëshmi të shenjta. Përndryshe, mëkatari për së gjalli fillon ta përjetoj vdekjen dhe bëhet pjesëtar i saj. Mëkati barazohet me vdekjen, sepse si njëra e si tjetra i kundërshtojnë natyrës hyjnore dhe asaj njerëzore. Rruga e mëkatit është rruga e vdekjes.
Po vdekja e të drejtit? Përgjigjen e gjejmë në fshehtësinë e së përtejmës. Misterit të vdekjes i kundërpërgjigjet misteri i jetës së amshuar, ndërsa fuqisë së vdekjes fuqia e Hyjit. “I drejti do të jetoj prej fesë”! Kështu, në mënyrë që emri ynë të jetë i shkruar në Librin e Jetës, le të lutemi: “O Zot, bëj që vdekja të më gjej të gjallë!” (M. C).

Libri i Jetës në Shkrimin e shenjtë
Shkrimi i shenjtë – Bibla, i përbërë prej 72 librave; 46 libra të Besëlidhjes së Vjetër, dhe 27 libra të Besëlidhjes së Re, edhe pse për nga përmabajtja dhe qëllimi është i veçantë, i njohur si Libri i librave, është udhërrëfyesi më i mirë, që emri ynë të shënohet në një Libër tjetër, atë të Jetës. Ky Libër i Jetës duhet të jetë qëllimi ynë, që ta kemi jetën në plotësi, në paqe të pambarim.
Shёn Jeronimi, dalmat, shquhet për përkthimin e Bibles, nga gjuha hebraike nё latinisht. Ai na fton që ta ushqejmë shpirtin me fjalën e Zotit. Kjo fjalë duhet të na shoqëroj çdo ditë, sepse, “mosnjohja e Shkrimeve do të thotë mosnjohje e Krishtit.” Ai thotë për vete: “Mos të mendoj askush se unë dëshiroj të konsumoj në pak fjalë argumentin e këtij libri të Shkrimit të shenjtë që i përmban të gjitha misteret e Zotit.” Duke lexuar Shkrimin e Shenjtë, ne hyjmë në komunikim me Zotin, “kur lutemi ne i flasim Zotit, por kur lexojmë, Zoti na flet neve!”
Përballë pjesës së fundit të kësaj jete – vdekjes, Besëlidhja e Vjetër na paraqitet gati jo tolerante, sepse të gjithë ata që vijnë në kontakt me një të vdekur, njeri apo kafshë, bëhet i pa pastër për shtatë ditë dhe duhet të përjashtohet nga bashkësia e lutjes. Vdekja, gati në gjithë BV është një ndarje nga Hyji. Të gjithë ata që nuk përkojnë me vullnetin e Hyjit, mbahen si të përjashtuar e të lën prej Zotit. Kjo, jo pse Zoti don, por sepse janë shkëputur nga fryma që jep jetë.
Psalmisti, kështu flet për uratën në ditën e ngushticës së madhe: “Shpirti im është plot me vuajtje, jeta është në grykën e varrit; po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë. I lirë si ata që vdiqën, porsi të vrarët që pushojnë në varre, të cilët ti më nuk i kujton, që janë shkëputur nga dora jote” (Ps 88, 5-6).
Më tutje, Shkrimi i shenjtë na flet për jetën si dhuratën më të çmuar, ajo është e shenjtë sepse vjen prej Hyjit. “Më kërkoni e do të jetoni”! (Am 5, 4), qëndroni në dashurinë time (Gjn 15, 9).
Edhe në Librin e Danielit profet, e shkruar në shek. II para Krishtit, mësojmë konkretisht për vlerën e drejtësisë që do të shkëlqejë. Prandaj, shumë njerëz kanë zgjedhur vdekjen duke e llogaritur si të pakuptimtë jetën pa Zot. Të tjerë që e kanë flijuar jetën për t’i mbetur besnik Zotit, shumë të tjerë që e kanë humbur fenë për ta shpëtuar jetën. Në këtë kontekst, Danieli profet thotë: “Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës qiellore, e ata që ua kanë mësuar shumë njerëzve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm.” Ti, o Daniel, ndryji këto fjalë e vulose librin deri në kohën e Mbarimit! (Dan 12, 3-4).
Njeriu i Besëlidhjes së Vjetër në përgjithësi e mban jetën si të qenurit me Zotin. Në këtë kontekst, “bota ideore” e BV është më shumë e orientuar ndaj bashkësisë, prandaj edhe shpresën e vet për të ardhmen e ndërlidhë me fatin e popullit apo të shoqërisë. Siç thotë psalmisti: “Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka” (Ps 37, 5).
Në shumë vende tjera të BV tekstet përputhen me ato të BR, ndër tjera, ato që flasin për jetën si dhuratë, trupin, shëndetin, shpresën për jetën e përtejme në Zotin. “Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira!” (Zan 1, 31). BV premton se njeriu i mirë do të jetë i suksesshem, do të jetojë mirë dhe gjatë.
Në Sheol, aty ku gjenden të vdekurit, nuk eksiston raport me Hyjin. Pra, edhe në librin e Kishtarit, nga përvoja e Jobit, i cili flet për vuajtjet e të drejtit, mësojmë se njeriu që i mbetet besnik Zotit, e gjen ngushëllimin dhe shpresën, për më tepër ngadhënjmin dhe shpërblimin. Prandaj na porositë: “Druaje Hyjin e mbaji urdhërimet e tija; sepse në këtë e ka tërë vlerën e vet njeriu.” (Ksh 12, 13). Kjo edhe për faktin se Zoti është besnik: “Nëse ne nuk jemi besnikë – Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten” (2 Tim 2, 13).
Ndër tekstet më të rëndësishme të BV që na flasin për ringjalljen, po sjellim këtu tre prej tyre: Së pari, Jobi, ai që vetëm në Hyjin e sheh shpëtimin: “E pra e di se gjallë e kam Shpaguesin, Ai i sprasmi përmbi dhe do të ngritet, e pas kësaj lëkure që ma ropën në mishin tim Hyjin do ta shoh. Unë, unë vetë Atë do ta shikoj, për sytë e mi s’do të jetë i huaj! (Jb 19, 25-27).
Pastaj, te Isaia profet lexojmë se “përsëri do të rijetojnë të vdekurit, të vrarët e mi do të ringjallen. Çohuni e brohoritni, ju që banoni në pluhur, sepse vesa jote është vesa e dritës edhe toka hijet e të vdekurve në dritë do t’i nxjerrë!” (Is 26, 19).
Dhe së treti, te Danieli profet flitet qartë për ringjalljen individuale. “Një numër i madh i atyre që flejnë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm”(Dan 12, 2).
Në Besëlidhjen e Re, Jezusi flet për jetën si vlerën më të madhe, natyrisht edhe më e rëndësishme se e shtuna. Pikërisht për këtë arsye e akuzojnë dhe thonë: “Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!” (Gjn, 9, 13). Pastaj, lidhur me këtë lexojmë të Shën Marku Ungjilltar: “Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë (Mk 1, 21). Mbi këtë ndërhyrje të Jezusit, ku përballen ligje e tradita hebreje në njërën anë, dhe të natyrës hyjnore, ku në rend të parë vihet gjendja shpirtërore për të cilën na flet Krishti, përgjigjen e gjejmë të Marku Ungjilltar: “E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën (Mk 2, 27).
Ka edhe shumë shembuj tjerë që na flasin për qëndrimin e Krishtit në raport me jetën dhe kujdesin e tij për njerëzit. I vetmi është Jezusi, i cili i mëson si Ai që ka autoritet, i shëron njerëzit, ua kthen jetën, sepse është Zot i jetës, e jo si skribët e tyre (22). Po veçojmë këtu shërimin e njeriut me dorë të thatë, që po ashtu ndodhë ditën e shtunë (Lk 6). Pastaj, dëshminë tjetër që na flet për dashurinë e Krishtit ndaj njerëzve në raport me të shtunën: “A ka ndër ju njeri të tillë që, po i ra e vetmja dele që ka në gropë të shtunën, nuk shkon e nuk e nxjerr? E njeriu sa është më i vlefshëm se delja? Prandaj, kush thotë se nuk është e lejueshme të bësh mirë të shtunën?” (Mt 12, 9-12).
E gjithë kjo që u tha më lart, na bën ta kuptojmë rëndësinë e jetës, por edhe më shumë, atë të jetës shpirtërore. Sepse, ata që e ndjekin me besnikëri mësimin e Krishtit, emri i tyre do të shkruhet në Librin e Jetës. “Unë jam Ringjallja dhe Jeta. Kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë“(Gjn 11, 25-26).
Pra, Krishti e posedon jetën që prej amshimit. Ai është Rruga, e Vërteta dhe Jeta (Gjn 14, 6).
Në Personin e Krishtit më së miri e gjejmë formulën e Librit të Jetës, kjo do të thotë, Hyji me ne, është një premtim që është shndërruar në realitet, “jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti” (Gal 2, 20). Më tutje, në Besëlidhjen e Re hasim edhe vende tjera që na bëjnë të kuptojmë se njerëzit që flijojnë për jetë të ndershme, në përkim me mësimin e Krishtit, emrat e tyre janë regjistruar në “librin e jetës” (Fil 4, 3). Mbi të gjitha, për Librin e Jetës lexojmë në Zbulesën e Shën Gjonit. Që në fillim të këtij Libri lexojmë për vegimin që ai pati kur ishte në ishullin Patmos: “Një ditë të diel pata vegim prej Shpirtit Shenjt dhe pas meje dëgjova një zë të madh, porsi zë trumbete, që më thoshte: »Çka po sheh, shkruaj në libër dhe dërgojua shtatë kishave” (Zb 1, 9-11).
Aty flitet për shumë libra, por i veçantë është “Ai i Jetës”. “Pashë edhe të vdekurit: të mëdhenj dhe të vegjël, në këmbë para fronit. Atëherë u hapën librat. U hap edhe një libër tjetër: libri i jetës.” (Zb 20, 12). Në libra janë të regjistruara veprat e njerëzve. “Kështu edhe ngadhënjyesi do të mbajë petka të bardha; nuk do ta fshij emrin e tij prej librit të jetës dhe do ta dëshmoj emrin e tij para Atit tim dhe para engjëjve të tij” (Zb 3, 5).
Libri i Zbulesës na flet për egërsirat, fuqinë e Dragoit (të Keqit), të cilit ia kanë frikën banorët e tokës. “Egërsira që pe, ishte e më nuk është; ajo do të ngrihet nga Humnera dhe do të mbarojë. Dhe do të habiten mbarë banorët e tokës – ata, emrat të cilëve që në krijimin e botës nuk u shkruan në librin e jetës – kur të shohin se Egërsira ishte dhe nuk është më, dhe prapë është aty.”(Zb 17, 8). Kushdo nuk gjendet i shkruar në librin e jetës do të plandosur në liqenin e zjarrtë (khs. Zb 20, 14 -15), e liqeni i zjarrtë simbolizon ferrin, vdekjen e dytë.
E gjithë kjo skenë zhvillohet para Hyjit dhe aty flitet për dy libra të ndarë. Njëri në të cilin janë të regjistruar mëkatet, e tjetri që përmban veprat e mira. Në këtë dyluftim, ata që mbështeten në ndihmën e Zotit, edhe pse lufta vazhdon, në fund do të dalin fitues.
Në përmbyllje, po theksojmë faktin se lufta në mes të mirës dhe të keqes ndodhë brenda nesh. Sepse, “s’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut – ajo e bën të papastër” (Mk 7, 15). “Prej brendisë – prej zemrës së njeriut rrjedhin shumë të këqija që e bëjnë njeriun të papastër” (Mk 7, 21). Për këtë arsye, mëvaret prej nesh sa angazhohemi ta arsyetojmë të qenurit të krijuar në shëmbëllesën e Hyjit. Edhepse jemi të vetëdijshëm se mëshira e Hyjit është e pakufi, e kemi rolin përcaktues të jemi apo jo të regjistruar në Librin e Jetës. “Ja, unë po vij së shpejti! Edhe shpërblimi im me mua, për të shpërblyer gjithkënd sipas veprave të tij! Unë jam Alfa dhe Omega, i Pari dhe i Fundit, Fillimi dhe Mbarimi!”(Zb 22, 12 -13).
Bazuar në vepra të mira, fjalë shpresëdhënëse përballë sfidës së jetës dhe shëlbimit, është edhe ky fakt: “Mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!” (Lk 10, 20).

 

Don Agim Qerkini