Menu Schließen

Papa Françesku

Papa Françesku: për të krishterin nuk ka dallim ndërmjet veprimit e lutjes

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa foli për lutjen kundruese, të cilën e quajti “frymëmarrje” e marrëdhënies së njeriut me Zotin: Ungjilli bën një thirrje të fuqishme, të vetme. Thirrjen për ta ndjekur Jezusin në rrugën e dashurisë. “Dashuria dhe kundrimi janë sinonime”.

Audienca e sotme e përgjithshme u hap me leximin e Psalmit 8,2,4-6.10, përmes të cilit besimtari i drejtohet Zoti me fjalët: “O Zot, Hyu ynë,/sa i madh është emri yt mbi tanë tokën…/ Kur unë  kundroj qiellin, vepër e duarve tua, kur sodis hënë e yje, që ti i ngule në qiell,/ mendoj: “Njeriu çka është, që ty në mend të bjerë? /e i biri i njeriut, që ti ta kesh në kujdes?/ Ti, pra, e ke krijuar gati si të ishte engjëll,/ me nder e lumni e kurorëzove/  Pushtet i dhe mbi vepra të duarve tua,/ gjithçka atij ia vure për nën këmbë”.

Është një himn drejtuar Zotit, që lind nga kundrimi i veprave të Tij.

Kundrimi varet nga zemra

Përmasa kundruese e qenies njerëzore – pohoi Papa Françesku në fillim të katekizmit – “i ngjan paksa ‘kripës’ së jetës: i jep shije, i fal kënaqësi ditëve tona”. E mund të kundrosh duke soditur diellin, duke dëgjuar një muzikë të këndshme, duke lexuar një libër të bukur, duke qëndruar para ndonjë vepre të shquar arti a, akoma, para asaj kryevepre, që është fytyra njerëzore”. Të kundrosh – vijoi të pohojë poetikisht Françesku – “është një mënyrë  e të qenit, por të jesh kundrues nuk varet vetëm nga sytë. Sytë mund të shikojnë e të mos shohin. Sepse kundrimi varet kryesisht nga zemra”:

“E këtu hyn në lojë lutja, si akt feje e dashurie, si ‘frymëmarrje’ e marrëdhënies sonë me Zotin. Lutja e pastron zemrën e, me të, sqaron edhe shikimin, duke e ndihmuar njeriun ta shikojë realitetin nga një këndvështrim tjetër. Katekizmi e përshkruan këtë shndërrim të zemrës, që nis nga lutja, duke cituar  një nga dëshmitë e famshme të Famullitarit të Arsit: ‘Kundrimi është shikim i fesë, i ngulitur mbi Jezusin. ‘Unë e shikoj, e Ai më shikon’  i thoshte famullitarit të tij shenjt fshatari i Arsit, në lutje para tabernakullit[…]. Gjithçka lind prej aty: prej një zemre, që e ndjen se dikush po e shikon me dashuri. Atëhere realiteti kundrohet me sy të tjerë”

Drita e dashurisë së Atit   

Në kundrimin përplot me dashuri – vijoi Papa – mjafton vetëm një shikim, “mjafton të jemi të bindur se jeta jonë rrethohet me dashuri të madhe e besnike, nga e cila s’ka gjë në botë që mund të na ndajë”. Kështu i ndodhte edhe Jezusit, e fshehta  e të cilit, në çastet më të vështira  të jetës tokësore, ishte “marrëdhënia me Atin qiellor”. Françesku kujtoi edhe episodin  Shndërrimit,  që Ungjijtë e tregojnë pikërisht në çastin kritik të misionit të Krishtit, “kur rreth tij vlojnë kundërshtimet e mohimi”, deri nga ana e dishepujve. “Pikërisht në këtë çast, në të cilin Krishti mbetet krejtësisht i pakuptuar – vërejti Papa – pikërisht kur dukej se do ta humbiste durimin, i thithur nga vorbulla e keqkptimeve – pikërisht atëhere e aty – kujtoi –  “shkëlqen drita hyjnore”, drita e dashurisë së Atit.

Në Ungjill, kundrimi e veprimi nuk i kundërvihen njëri-tjetrit

Papa Françesku e vijoi reflektimin, duke kujtuar se pati edhe mësues të përshpirtërisë, që ia kundërvunë  kundrimin veprimit, duke i lavdëruar ata që ikin nga bota, për t’iu kushtuar vetëm lutjes. Por – sqaroi në vijim Ati i Shenjtë – “ky është dualizëm, që nuk i përket  mesazhit të krishterë”. Prej këndej, shpjegoi:

“Eshtë një thirrje e vetme, e madhe, një thirrje e madhe në Ungjill. E kjo thirrje është të ndjekësh Krishtin në udhën e dashurisë. Kjo është maja, është qendra e gjithçkaje. Në këtë kuptim, dashuria e krishterë e kundrimi janë sinonime, thonë një gjë të vetme. Sipas Shën Gjonit të Kryqit, një  akt sado i vogël  dashurie është më i nevojshëm në Kishë, sesa të gjitha veprat e  tjera marrë së bashku. Çka lind nga lutja e jo nga  fodullëku ynë, çka pastrohet nga përvujtëria, edhe pse është akt dashurie të heshtur, mbetet mrekullia më e madhe që mund të bëjë i krishteri. E kjo është udha e lutjes së kundrimit: unë e shikoj, Ai më shikon e aty ësht akti i dashurisë, në dialogun e heshtur me Jezusin, që i bën aq mirë Kishës”.

Besimtarëve: mos e harroni Rruzaren!

Para se t’u drejtonte përshëndetjen e fundit besimtarëve në gjuhë të ndryshme, në përfundim të audiencës, Papa Françesku u drejtoi të gjithëve  ftesën lidhur me muajin marian, që po jetojmë: «Mos e harroni Rruzaren»!».

PAPA

Audienca e përgjithshme: Papa përsërit ftesën për të thënë Rruzaren

Papa, në përfundim të audiencës, u kujtoi besimtarëve muajin marian, udhëhequr nga 30 shenjtërore, sot nga Shenjtërorja e Zojës Rruzare në Namyang të Koresë së Jugut, duke i ftuar t’i ndjekin lutjet të bashkuar me besimtarët e mbarë botës, me një zë e një zemër të vetme.

R. SH. – Vatikan

Para se t’u drejtonte përshëndetjen e fundit besimtarëve në gjuhë të ndryshme, në përfundim të audiencës, Papa Françesku u drejtoi të gjithëve  ftesën lidhur me muajin marian, që po jetojmë:

“Të udhëhequr nga shenjtoret e botës në këtë muaj maji, ta themi Rruzaren për të kërkuar fundin e pandemisë dhe rifillimin e veprimtarive në shoqëri e në punë. Sot – kujtoi akoma – kësaj lutjeje mariane i prin Shenjtërorja e Zojës Rruzare në Namyang të Koresë së Jugut. Të bashkohemi me ata, që janë mbledhur në këtë shenjtërore e të lutemi posaçërisht për fëmijët dhe adoleshentët”.

Të gjithë bashkë, në Pompei

Pastaj, duke përshëndetur besimtarët në gjuhë të ndryshme, Papa i ftoi të bashkohen  shpirtërisht me kremtimin e lutjes  drejtuar Zojës Rruzare, të shtunën, më 8 maj, në mesditë, në Shenjtëroren e Pompeit. Të gjithë, e posaçërisht të moshuarit, të rinjtë, të sëmurët e të sapomartuarit, Ati i Shenjtë i nxiti t’i luten Marisë “model feje e dëshmitare e palodhur e Fjalës së Krishtit, për të fituar qëndrueshmërinë e krishterë në çastet e vështira, që nuk mungojnë kurrë në jetë!”.

Papa: Zoja e çliroftë njerëzimin nga drama e pandemisë

“Zoja e Papërlyer e çliroftë njerëzimin nga drama e pandemisë dhe i priftë atdheut tuaj dhe familjeve tuaja drejt Birit të saj, Jezu Krishtit. Ju bekoj me gjithë zemër”. Me këto fjalë iu drejtua Papa Françesku, gjatë audiencës, besimtarëve të gjuhës polake:

“Muaji i majit, kushtuar së Lumes Virgjër Mari, është posaçërisht i dashur për ju – nënvizoi – Sipas traditës së etërve tuaj, ju mblidheni ndër kisha, në shtëpi, e edhe para figureve e shtatoreve të Nënës së Zotit, që naltohen në sheshe, duken skajeve të rrugëve e vendosen në kapelat shtëpiake, për ta kundruar bukurinë e Saj, dashurinë, mirësinë”.

E, natyrisht, edhe për të nxjerrë hiret aq të dëshiruara me ndërmjetësinë e Zojës, që bota mbarë e kremton në këtë muaj, kur gjithçka lulëzon!

Kisha drejt Rrëshajëve: Shpirti Shenjt prani e Krishtit ndër zemra

Kisha katolike universale përgatitet për të dielën, kur do të kremtojë solemnitetin e Rrëshajëve, në kujtim të dikimit të Shpirtit Shenjt Hyj mbi Apostujt, mbledhur së bashku me Marinë në Çenakull, me të cilin përfundon Koha e Pashkëve.

Kisha katolike universale përgatitet për të dielën, kur do të kremtojë solemnitetin e Rrëshajëve, në kujtim të dikimit të Shpirtit Shenjt Hyj mbi Apostujt, mbledhur së bashku me Marinë në Çenakull, me të cilin përfundon Koha e Pashkëve. Siç dihet, Pashkët kremtojnë ngjalljen e Krishtit, ndërsa Rrëshajët, pesëdhjetë ditët e Pashkëve, shënojnë fillimin e jetës së re të Jezu Krishtit të Ngjallur në besimtarë, në saje të veprës së vet Shpirtit Shenjt. Ajo që ndodh më Krishtin, ditën e parë të Pashkëve, në ditën e pesëdhjetë, ndodh për gjymtyrët e korpit të Tij mistik, që është Kisha. Po të ndalemi te shpjegimi i domethënies së këtij solemniteti.

Së pari si duhet të përgatitemi për Rrëshajët? 

Për t’u përgatitur për këtë festë të madhe e teje të rëndësishme për ne të krishterët, kemi një mjet të përbashkët, që është liturgjia hyjnore, me leximet biblike e me ritet e saj, të cilat arrijnë kulmin në Lutjet mbrëmësore të Rrëshajëve e në festën e së dielës. Krahas përgatitjes si bashkësi besimtarësh, pastaj është edhe përgatitje individuale, përgatitja personale që ka të bëjë me dëshirën për zbritjen e Shpirtit Shenjt në zemrën e secilit.

Kushti kryesor, që ka vënë Jezusi për ta pasur Shpirtin Shenjt, nuk ka të bëjë me pagesa, sepse Shpirti i Zotit nuk mund të blihet, Shpirti i Zotit nuk meritohet, po pranohet. Ka të bëjë me etjen e njeriut për ta pasur dhe pranuar këtë dhuratë tejet të çmueshme shpirtërore: “Kush ka etje, të vijë tek unë e të pijë” – thotë Jezusi në Ungjill të Gjonit. Ungjilltari i komenton këto fjalë, duke shtuar: “Ai fliste për Shpirtin Shenjt”.

Çka mund të presim Shpirtit Shenjt?

Atë çka presim, në ditët tona, nga festa e Rrëshajëve, është diçka shumë e thjeshtë: që të vijnë për ne Rrëshajët e reja, do të thotë që Rrëshajët të mos jenë thjeshtë kremtim i një feste, por përvojë i pranisë së Shpirtit Shenjt Zot. E ne kemi nevojë të madhe, të thellë për Shpirtin Shenjt. Në shekullin e kaluar, filozofi Haideger thoshte: “Vetëm një Zot mund të na shpëtojë!”. E ne do të thoshim se ky Zot mund të na shpëtojë, mund ta shpëtojë shoqërinë tonë të teknologjizuar, me zemër të akullt.

Po nuk mund të mos mendojmë se ekziston edhe rreziku që edhe ne, të krishterët, të mungojmë në këtë takim të madh me Shpirtin e Zotit! E vërtetë, ky rrezik ekziston, edhe për shkak të një keqkuptimi. Sepse ndoshta jemi mësuar, posaçërisht në teologjinë para Koncilit të II të Vatikanit, ta konsiderojmë Shpirtin Shenjt si një lloj shtese, si një ‘optional’ që i shtohet organizmit të krishterë, mjeteve të hirit, por me një qëllim të dorës së dytë, që t’i japë Kishës forcë për ta çuar Lajmin e Mirë të Ungjillit deri në skajet më të largëta të tokës. Ky është vizion i kufizuar e i paplotë. 

Shpirti Shenjt zanafilla e Besëlidhjes së Re

Shpirti Shenjt është shëlbimi, është zanafilla e Besëlidhjes së Re. Sigurisht që Jezusi, mbi Kryq, me vdekjen e me ngjalljen e tij, përmbushi gjithçka, realizoi Besëlidhjen e Re e të amshuar. Por është Shpirti Shenjt ai, që e bën këtë shpërblim të Krishtit aktual, të disponueshëm për çdo njeri e në çdo çast të historisë. Prandaj, për ta shmangur këtë rrezik, them se barinjtë, teologët, prijësit shpirtëror të bashkësisë, duhet të paraqesin figurën e vërtetë të Shpirtit Shenjt, që nuk është abstraktim, nuk është ide, por është prani, është prania e Krishtit të ngjallur në zemrën e të krishterëve.

Shpirti Shenjt Vetja e tretë e  të Shenjtnueshmes Trini 

Dihet se Shpirti Shenjt është Vetja e tretë e  të Shenjtnueshmes Trini Hyjnore, prandaj, duhet ta kemi gjithnjë pranë në jetën tonë të përditshme. Madje Shpirti Shenjt Zot, sipas Shkrimeve, është Ai që e bën Trininë Hyjnore të pranishme në zemër të besimtarit, është Ai që, duke banuar ndër ne, na bën tempullin e vet, tempullin e Zotit. Kjo duhet të ndodhë përherë e festa e Rrëshajëve duhet të shërbejë si një lloj nxitjeje: e tërë jeta e Kishës, liturgjia e saj, ka për qëllim të na çojë ditë për ditë tek ky burim shpirtëror feje, që është Shpirti Shenjt.

20.05.2021