Menu Schließen

Shtegtimi Luzern – Einsiedeln 29.05.2021

Përvoja e shtegtimit, në mënyrë simbolike, është përvoja e jetës e cila në mënyrë të natyrshme është një ecje apo shtegtimit drejt bashkimit me Hyjin. Në këtë ecje ballafaqohemi me pjesën tonë pozitive e cila është e përbërë nga qëllimet e mira, dëshirat, planet, kërkesat, falënderimet dhe vullneti për t’i sfiduar vështirësitë, me synim të arritjes së qëllimit (njetit). Në ecjen e jetës po ashtu takohemi edhe me pjesën tonë negative: lodhjen, rraskapitjen, vuajtjen, vështirësinë, mërzinë e nganjëherë edhe dëshirën për tu ndalur, sepse nga lodhja sikur nuk mundemi të vazhdojmë më. Në ecjen e jetës, përveç vetes tonë, takojmë edhe njëri tjetrin (bashkësinë) e cila në shumë raste tregohet e aftë, e dashur, e mirë dhe e kujdesshme ndaj vështirësive të ecjes sonë, kjo bëhet nxitje dhe ndihmë për ta vazhduar udhëtimin. Bukuria e gjithë kësaj është prania e Hyjit në ecjen e popullit. Hyji, gjithmonë, qëndron dhe udhëton me ne. Këtë përvojë udhëtimi, dje, një grup besimtarësh nga Misioni ynë në Luzern e ka bërë këmbë deri në shenjtëroren e Zojës në Einsiedeln. Ishte përvojë e bukur, e këndshme dhe e frytshme për të gjithë. Falënderimi i takon Hyjit dhe njëri-tjetrit!