Menu Schließen

Papa: i sëmuri para sëmundjes. Shëndetësia katolike të mos ndjekë kriteret e fitimit – Vatican News

Papa: i sëmuri para sëmundjes. Shëndetësia katolike të mos ndjekë kriteret e fitimit – Vatican News Papa Françesku pret Fondacionin “Campus Bio-Medico”, duke inkurajuar punën dhe shërbimin e tij: “Vendosni në qendër kujdesin për njeriun, pa harruar rëndësinë e shkencës. Kujdesi pa shkencë s’jep rezultat, shkenca pa kujdes është e shterpët”. Thirrja e Atit të Shenjtë: “Shëndetësia katolike të dëshmojë me fakte se nuk ka jetë të padenjë”. Për vaksinat nevojiten “plane largpamëse”: “Ilaçet duhen shpërndarë me dinjitet, jo si lëmoshë mjerane”

R.SH. – Vatikan

Kujdesi personal në qendër të veprimtarisë së strukturave shëndetësore katolike, për të dëshmuar se asnjë jetë nuk është e padenjë për t’u jetuar dhe se nevojat e të sëmurëve vijnë para fitimeve. Kështu mjekësia shndërrohet në një “art”, që kombinon njohuritë me dhembshurinë, profesionalizmin me mëshirën, kompetencën me ndjeshmërinë. Papa Françesku e inkurajon me këto fjalë punën e Fondacionit “Campus Bio-Medico” të Romës, organizatë jofitimprurëse e themeluar në vitin 2015 dhe e promovuar nga Opus Dei, për të mbështetur punën kërkimore-shkencore dhe veprimtaritë e universitetit e të politiklinikës me të njëjtin emër.

Asistencë dhe punë kërkimore “me dashuri”

Ati i Shenjtë Bergoglio i priti në festën liturgjike të Shën Lukës, që shën Pali apostull e quan “mjeku i dashur”. Këtë dashuri për të sëmurët, spitali “Campus Bio-Medico” e tregoi e vazhdon ta tregojë gjatë pandemisë, jo vetëm duke dhënë asistencë, por edhe duke bërë një punë të lavdërueshme shkencore, për të siguruar terapitë më të mira për të sëmurët. Për Papën, kjo “dashuri” është kriteri më i rëndësishëm për t’u ndjekur nga personeli shëndetësor, të cilin e ftoi të bashkëpunojë e të përballojë së bashku problemet:

“Shëndetësia, në veçanti ajo katolike, ka dhe do të ketë gjithnjë nevojë për këtë, për t’u lidhur në rrjet. Nuk është më koha për të ndjekur të izoluar karizmën personale. Dashuria kërkon dhurimin: dija duhet ndarë me të tjerët, kompetencat e shkenca duhet të jenë të përbashkëta”.

Të ndihmohen vendet e varfra për vaksinat

Kjo vlen sidomos për vaksinat, nënvizoi Papa, duke përsëritur thirrjen për t’u ardhur në ndihmë vendeve më të varfra, me plane largpamëse e jo me ngutin e vendeve të pasura, që shpërndajnë vaksina, për të qenë më të sigurta ato vetë. Shpërndarja, theksoi Françesku, duhet bërë me dinjitet, jo si lëmoshë mjerane. Duke vënë njeriun në qendër, vijoi Ati i Shenjtë, konsiderohet më i rëndësishëm i sëmuri se sa sëmundja. Pra, teknologjia e shkenca është në shërbim të tij e jo të sëmundjes si e tillë. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se edhe terapitë pa shkencën janë të kota, prandaj të dyja ecin në binarë paralelë. Shëndetësia katolike duhet të tregojë këtë kujdes të vërtetë për njeriun, duke dëshmuar se nuk ekzitojnë jetë të padenja.

“Ne po jetojmë një kulturë të vërtetë hedhurinash, ky është ajri që thithim, prandaj, duhet të reagojmë”, pohoi Papa jashtë tekstit zyrtar. “Çdo strukturë shëndetësore – vërejti ai – veçanërisht ato me frymëzim të krishterë, duhet të jenë vende ku zbatohet kujdesi për njeriun e ku mund të themi: ‘këtu nuk shohim vetëm mjekë dhe të sëmurë, por njerëz, që mirëpresin dhe ndihmojnë njëri -tjetrin: këtu prekim me dorë terapinë e dinjitetit njerëzor’, e cila nuk duhet negociuar kurrë, por duhet mbrojtur gjithmonë”.

Nevojat e të sëmurëve, para fitimit

Papa bëri thirrje të vendosen nevojat e të sëmurëve para fitimeve, duke përmendur veçanërisht impenjimin për të zbuluar terapi për sëmundjet e rralla, pavarësisht se ato nuk janë fitimprurëse. Campus Bio-Medico, për shembull, ndihmon studentët, që nuk kanë mundësi ekonomike, të mbulojnë shpenzimet e universitetit. Vendime të tilla nuk janë të lehta, pranoi Papa, por ky është misioni i shëndetësisë katolike, e cila duhet të kuptojë kuadrin e përgjithshëm, për të zhvilluar një kulturë shëndetësore, mike me njeriun.

Marrë nga Vatican News