Menu Schließen

Papa në Qipro: muret e frikës dhe vetot nacionaliste nuk e ndihmojnë Evropën

Erdha si shtegtar në një vend të vogël për nga gjeografia, por i madh me histori; në një ishull që ndër shekuj nuk i ka izoluar njerëzit, por i ka lidhur; në një tokë kufiri i të cilit është deti; në një vend që shënon portën lindore për në Evropë dhe portën perëndimore për në Lindjen e Mesme. Ju jeni një derë e hapur, një port që lidh: Qipro, ёshtё një udhëkryq qytetërimesh, qё ka thirrjen e lindur për takim.

Lajmëtar i bukurisë mes kontinenteve, një «trampolinë» për krishterimin në Evropë dhe një port që lidh Lindjen me Perëndimin, kjo është Qiproja, «një vend i vogël për nga gjeografia, por i madh për nga historia», vendi ku Papa Françesku shkoi si një shtegtar në këtë udhëtim, duke ndjekur hapat e misionarëve të parë të krishterë, shenjtorëve Pali, Barnaba dhe Marku. 

“Kontinenti evropian ka nevojë për pajtim dhe unitet, ka nevojë për guxim dhe vrull për të ecur përpara. Sepse nuk do të jenë muret e frikës dhe vetot e diktuara nga interesat nacionaliste ato që do ta ndihmojnë përparimin e saj, madje as rimëkëmbja ekonomike e vetme nuk do të mund t’i garantojë  sigurinё dhe stabilitetin «. Nga Qiproja,»porta lindore për në Evropë dhe porta perëndimore për në Lindjen e Mesme «, si dhe «udhëkryqi historik i qytetërimeve», Papa Françesku bën një thirrje të fortë kontinentit evorpian të mos mbyllet në vetvete, të thyejë barrierat. Dhe i referohet gjithashtu edhe tragjedive humanitare qё në kufijtë e saj është më se tё dukshme. Vetë historia e këtij vendi tё vogël dhe prania e një numri emigrantësh që është më e larta në BE si përqindje, duhet të jetë shembull, kujtoi Papa..

Qiproja është «një perlë me vlerë të madhe në zemër të Mesdheut», u tha Papa Françesku autoriteteve, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik, duke i takuar sot pasdite nё ora 17.00 në Sallën Ceremoniale të Pallatit presidencial në Nikozia, dhe një perlë kujton rrethanat unike të formimit e të zhvillimit të saj, nenvizoi Ati i Shenjtё Bergoglio, duke pёrshkuar historinё, bukurinё, rrolin e mesazhin e këtij vendi pёr Mesdheun dhe Evropёn, duke u nisur nga paqja.

«Paqja nuk lind shpesh nga personalitetet e mëdha, por nga vendosmëria e përditshme e të vegjëlve. Kontinenti evropian ka nevojë për pajtim dhe unitet, ka nevojë për guxim dhe vrull për të ecur përpara». Kështu pohoi mes tjerash Papa Françesku në takimin me autoritetet politike dhe fetare, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe anëtarët e trupit diplomatik nё Qipro. “Sepse nuk do të jenë muret e frikës dhe vetot e diktuara nga interesat nacionaliste ato që do të ndihmojnë përparimin e saj, madje as rimëkëmbja e vetme ekonomike nuk do të mund të garantojë sigurinë dhe stabilitetin e saj”, nënvizoi Ati i Shenjtë.

Para takimit me autoritetet, Papa pati një bisedё me Presidentin e Republikës së Qipros, Nicos Anastasiades, në Pallatin Presidencial. Ky i fundit falënderoi Françeskun për praninë e tij dhe për «vendimin për të vizituar një vend të vogël që ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e krishterimit». Papa, në spanjisht, falënderoi presidentin për ngrohtësinë e treguar ndaj tij gjatё pritjes e vizitёs apostolike. «Protokolli i nxehtësisë – tha Ati i Shenjtё – është një protokoll vëllazëror, dhe kjo arrin në zemër».

Fjalimi i Papёs Françesku drejtuar autoriteteve tё Qipros

Zoti President i Republikës,

Anëtarë të Qeverisë dhe Trupit Diplomatik,

autoritete të nderuara fetare dhe civile,

përfaqësues të shquar të shoqërisë dhe botës së kulturës,

Zonja dhe zotërinj!

     Ju përshëndes përzemërsisht, duke ju shprehur gëzimin tim që jam këtu. Ju falënderoj zoti President për mirëseardhjen që më keni bërë në emër të gjithë popullsisë. Erdha si shtegtar në një vend të vogël për nga gjeografia, por i madh me histori; në një ishull që ndër shekuj nuk i ka izoluar njerëzit, por i ka lidhur; në një tokë kufiri i të cilit është deti; në një vend që shënon portën lindore për në Evropë dhe portën perëndimore për në Lindjen e Mesme. Ju jeni një derë e hapur, një port që lidh: Qipro, ёshtё një udhëkryq qytetërimesh, qё ka thirrjen e lindur për takim, të favorizuar nga karakteri mikpritës i qipriotëve.

        Sapo kemi i bërë homazhe Presidentit tё parë të kësaj Republike, Kryepeshkopit Makarios, dhe duke bërë këtë gjest kam dashur t’u bëj homazhe të gjithë qytetarëve. Emri i tij, Makarios, evokon fjalët hyrëse të fjalimit të parë të Jezusit: Lumturitë (krh. Mt 5,3-12). Kush është makarios, i cili është vërtet i lum sipas fesё së krishterë, me të cilёn kjo tokë është e lidhur pazgjidhshmërisht? Të lum mund të jenë të gjithë dhe mbi të gjitha janë të varfërit në shpirt, të plagosurit nga jeta, ata që jetojnë me butësi dhe mëshirë, ata që pa u dukur praktikojnë drejtësinë dhe ndërtojnë paqen. Lumturitë ungjillore, të dashur miq, janë kushtetuta e përjetshme e krishterimit. Zbatimi i tyre bёn që Ungjilli të jetë gjithmonë i ri dhe të fekondojë shoqërinë me shpresë. Lumturitë janë busull për të orientuar, në çdo hapësirё gjeografike, rrugët me të cilat përballen të krishterët në udhëtimin e jetës.

        Pikërisht nga ky vend, ku Europa dhe Lindja takohen, filloi inkulturimi i parë i madh i Ungjillit në kontinent dhe është emocionuese për mua të ripërshkoj hapat e misionarëve të mëdhenj të zanafillës, në veçanti të shenjtorëve Pali, Barnaba dhe Marku. Ja, pra, unë jam një shtegtar mes jush për të ecur me ju, të dashur Qipriotë; me të gjithë ju, me dëshirën që lajmi i mirë i Ungjillit nga këtu t’i sjellë një mesazh të gëzuar Evropës në shenjën e Lumturive. Në të vërtetë, ajo që të krishterët e parë i dhuruan botës me fuqinë e butë të Shpirtit Shenjt ishte një mesazh bukurie tё paparë. Ishte risia befasuese e lumturisë e arritshme nga tё gjithё që i pushtoi zemrat dhe fitoi liritë e shumë njerëzve. Ky vend ka një trashëgimi të veçantë në këtë kuptim, si një lajmëtar i bukurisë midis kontinenteve. Qiproja shkëlqen me bukuri në territorin e saj, i cili duhet mbrojtur dhe ruajtur me politikat e duhura mjedisore të dakorduara me fqinjët. Bukuria shkëlqen edhe në arkitekturë, në art, veçanërisht në artin e shenjtë, në artizanalin fetar, në thesaret e shumta arkeologjike. Duke nxjerrë një imazh nga deti që na rrethon, dua të them se ky ishull përfaqëson një perlë me vlerë të madhe në zemër të Mesdheut.

        Një perlë, në fakt, bëhet ajo që është sepse formohet me kalimin e kohës: nevojiten vite që shtresat e ndryshme ta bëjnë atë kompakte dhe me shkëlqim. Kështu bukuria e kësaj toke rrjedh nga kulturat që gjatë shekujve janë takuar dhe përzier. Edhe sot, drita e Qipros ka shumë anë: ka shumë popuj dhe njerёz që me ngjyra të ndryshme përbëjnë gamën kromatike të kësaj popullate. Po mendoj edhe për praninë e shumë emigrantëve, në përqindje më të rëndësishmit ndër vendet e Bashkimit Evropian. Të ruash bukurinë shumëngjyrëshe dhe të shumëanshme të së tërës nuk është e lehtë. Ashtu si në formimin e një perle, kërkon kohë dhe durim, kërkon një vështrim të gjerë që përqafon larminë e kulturave dhe shikon të ardhmen me largpamësi. Në këtë kuptim, është e rëndësishme të mbrohet dhe promovohet çdo komponent i shoqërisë, veçanërisht ato qё statistikisht janё pakicë. Mendoj edhe për entet (subjekte) e ndryshme katolike që do të përfitonin nga njohja e duhur institucionale, në mënyrë që kontributi që ato japin në shoqëri përmes aktiviteteve të tyre, veçanërisht arsimore dhe bamirëse, të jetë i mirëpërcaktuar nga pikëpamja ligjore.

        Një perlë nxjerr në dritё bukurinë e saj në rrethana të vështira. Ajo lind në errësirë, kur goca detit «vuan» pasi i është nënshtruar një vizite të papritur që cenon sigurinë e saj, si për shembull një kokërr rëre që e acaron. Për të mbrojtur veten, ajo reagon duke e asimiluar atë që e ka lënduar: mbështjell atë që është e rrezikshme dhe e huaj për të dhe e shndërron atë në bukuri, në një perlë.

Perla e Qipros u la në hije nga pandemia, e cila pengoi shumë vizitorë të vinin dhe të shihnin bukurinë e saj, duke rënduar, si në vende të tjera, pasojat e krizës ekonomike dhe financiare. Në këtë periudhë rimëkëmbjeje, megjithatë, nuk do të jetë vrulli për të rikuperuar atë që ka humbur për të garantuar zhvillimin solid dhe të qëndrueshëm, por angazhim për të promovuar rehabilitimin e shoqërisë, veçanërisht përmes një lufte vendimtare kundër korrupsionit dhe plagëve që dëmtojnë dinjitetin e personit; mendoj, për shembull, nё trafikimin e qenieve njerëzore.

        Por plagën që vuan më shumë kjo tokë, vjen nga plaga e tmerrshme që ka pësuar në dekadat e fundit. Mendoj për vuajtjet e brendshme të atyre që nuk janë në gjendje të kthehen në shtëpitë dhe vendet e tyre të kultit. Lutem për paqen tuaj, për paqen e gjithë ishullit, dhe e uroj me të gjitha forcat. Rruga drejt paqes, e cila shëron konfliktet dhe rigjeneron bukurinë e vëllazërimit, përmblidhet me një fjalë: dialog. Ne duhet ta ndihmojmë veten të besojmë në forcёn e durueshme dhe të butë të dialogut, duke e nxjerrë atë nga Lumturitë ungjillore. Ne e dimë se nuk është një rrugë e lehtë; është e gjatë dhe plot dredha, por nuk ka alternativa për arritjen e pajtimit. Ne e ushqejmë shpresën me forcën e gjesteve, në vend që të shpresojmë në gjeste tё forta. Sepse ekziston një fuqi gjestesh që përgatit paqen: jo ajo e gjesteve të pushtetit, e kërcënimeve për hakmarrje dhe e demonstrimit të pushtetit, por ajo e gjesteve të relaksimit, hapave konkretë të dialogut. Mendoj, për shembull, në angazhimin për t’u përgatitur për një diskutim të sinqertë që vendos nevojat e popullatës në radhë të parë, në përfshirjen gjithnjë e më aktive të Komunitetit ndërkombëtar, në ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore, në kthimin e asaj që është në këtë kuptim veçanërisht e dashur për popullsinë, si vendet ose të paktën orenditë e shenjta. Në lidhje me këtë, dëshiroj të shpreh vlerësimin dhe inkurajimin tim për Religious Track of the Cyprus Peace Project (Projektin e Paqes në Qipron e Trashës Fetare), promovuar nga Ambasada e Suedisë, në mënyrë që të kultivohet dialogu ndërmjet liderëve fetarë.

        Pikërisht kohët që nuk duken të përshtatshme dhe në të cilat dialogu zbehet janë ato që mund të përgatiten për paqe. Na kujton gjithnjё perla, e cila bëhet e tillë në durimin e errët të thurjes së substancave të reja së bashku me agjentin që e plagosi. Në këto situata nuk duhet lejuar të mbizotërojë urrejtja, mos hiqni dorë nga shërimi i plagëve, mos harroni situatën e personave të zhdukur. Dhe kur vjen tundimi për t’u dekurajuar, mendoni për brezat e ardhshëm, të cilët dëshirojnë të trashëgojnë një botë paqësore, bashkëpunuese, kohezive, të pabanuar nga rivalitete të përhershme dhe të ndotur nga mosmarrëveshje të pazgjidhura. Ky është qëllimi i dialogut, pa të cilin rritet dyshimi dhe inati. Le t’i referohemi Mesdheut, tani fatkeqësisht një vend konfliktesh dhe tragjedish humanitare; në bukurinë e tij të thellë është mare nostrum, deti i të gjithë popujve që janё përreth tij për t’u lidhur, jo për t’u ndarë. Qiproja, udhëkryq gjeografik, historik, kulturor dhe fetar, ka këtë pozicion për të zbatuar një veprim paqeje. Qoftë një kantier i hapur për paqen në Mesdhe.

        Paqja nuk lind shpesh nga personazhet e mëdhenj, por nga vendosmëria e përditshme e të vegjëlve. Kontinenti evropian ka nevojë për pajtim dhe unitet, ka nevojë për guxim dhe vrull për të ecur përpara. Sepse nuk do të jenë muret e frikës dhe vetot e diktuara nga interesat nacionaliste ato që do të ndihmojnë përparimin e saj, e as rimëkëmbja ekonomike nuk do të garantojë, vetëm, sigurinë dhe stabilitetin e saj. Le të shohim historinë e Qipros dhe të shohim se si takimi dhe mirëpritja kanë dhënë fryte të dobishme afatgjatë. Jo vetëm për sa i përket historisë së krishterimit, për të cilin Qipro ishte «trampolinë» në kontinent, por edhe për ndërtimin e një shoqërie që ka gjetur pasurinë e saj në integrim. Kjo frymë e zgjerimit, kjo aftësi për të parë përtej kufijve të vet përtërin, lejon të rizbulosh shkëlqimin e humbur.

        Duke iu referuar Qipros, Veprat e Apostujve tregojnë se Pali dhe Barnaba për të arritur në Pafos e «pёrshkuan gjithë ishullin» (krh. Veprat e Apostujve 13,6). Është një gëzim për mua të përshkoj në këto ditë historinë dhe shpirtin e kësaj toke, me urimin që dëshira e zjarrtë e saj për bashkim dhe mesazhi i saj për bukurinë të vazhdojnë të udhëheqin rrugën e saj. O Theós na evloghí tin Kípro! [Zoti e bekoftë Qipron!]

Marrë nga Vatican News