Françesku: të heshtin armët, kush bën luftë, e harron njerëzimin – Vatican News Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa bëri përsëri thirrje për Ukrainën: njerëzit e thjeshtë duan paqe, por e paguajnë me lëkurë marrëzinë e luftës. Duhen krijuar korridore humanitare për kë kërkon shpëtim. Kujtimi i konflikteve në Siri, Etiopi e Jemen: “Zoti është me veprimtarët e paqes, jo me kë përdor dhunën”.
Françesku: të heshtin armët, kush bën luftë, e harron njerëzimin – Vatican News
R. SH. – Vatikan
Një zë i fuqishëm ngrihet mbi zhurmën shurdhuese të raketave! Zë, që krismat e armëve nuk e shuajnë dot. Është një dritare mbi një shesh të madh, por sidomos, mbi ndërgjegjet. Dritarja prej nga i flet botës Françesku. E padëgjuar nga ata, që në këto çaste po derdhin gjak të pafajshëm, duke e shndërruar në fushë beteje një pjesë të Evropës, që nuk dorëzohet:
“Këto ditë u tronditëm rëndë nga diçka tragjike: lufta. Më se një herë u lutëm, që të mos zgjidhej kjo rrugë. E nuk do të pushojmë duke folur, madje, duke iu lutur edhe më me ngulm Zotit”.
Viktima e vërtetë janë njerëzit
Papa e përsëriti thirrjen, që i përmblodhi të gjitha thirrjet e tjera të kohëve të fundit. Lufta, që nisi Rusia në Ukrainë, e bën edhe më të ngutshëm takimin e së Mërkurës së Përhime, lutjen e agjërimin koral, që të rikthehet paqja, atje ku njerëzit e pambrojtur kërkojnë strehë. E kur nuk e gjejnë, ndodhen ballë për ballë me vdekjen. Vdesin nënat në ikje: vdesin foshnjat e tyre… Vdesin burrat-burra, që nuk duan të dorëzohen, po qëndrojnë në vijën e parë të frontit, për të mbrojtur Mëmëdheun! Të lutemi – fton Françesku – që në këto orë të zymta të historisë, të ndjehemi të gjithë vëllezër e t’i kërkojmë Zotit fundin e luftës:
“Kush bën luftë i harron ndjenjat njerëzore. Nuk niset nga njerëzit, nuk shikon jetën e tyre konkrete, po vë para së gjithash interesat e veta e të pushtetit të tij. I beson logjikës djallëzore e të mbrapshtë të armëve, larg vullnetit të Zotit. E largohet nga njerëzit, që duan paqen; nga këta njerëz, që janë viktima e vërtetë e që e paguajnë me lëkurën e vet marrëzinë e luftës”.
Copëra luftash, që nuk duhen harruar
Për pleqtë, për ferishtet, për njerëzit në kërkim të shpëtimit, është “urgjente” – ngulmon Françesku – të hapen korridoret humanitare. Janë vëllezër e motra, duhen mikpritur! Këtë theksoi Papa. E ushtoi rishtas zëri, që bën thirrje, tejet i prekur nga luftërat “copa-copa” në të katër anët e kësaj bote të pa paqe:
“Me zemër të copëtuar për çka po ndodh në Ukrainë, pa harruar luftërat në anët e tjera të botës, si në Jemen, në Siri, Etiopi … – përsëris: Të heshtin armët! Zoti është me veprimtarët e paqes, jo me kë përdor dhunën”.
Sepse kush e do paqen – përfundoi Papa, duke cituar Kushtetutën italiane, “i kundërvihet luftës, parë si mjet, që e fyen lirinë e popujve të tjerë e që përdoret për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.
Kështu foli Papa, i ndjekur nga turma. Në mes të saj, shumë ukrainas, të cilët e ndiqnin me lot në sy zërin, që po u delte Zot nga dritarja e Engjëllit, ku të dielave ngulën sytë e miliona njerëzve në mbarë botën! Valëviteshin flamujtë e Ukrainës në Shesh. E ukrainasit e përshndesnin me sa zë që kishin Atin e Shenjtë në gjuhën e tyre: Хвала Ісусу Христу! Qoftë lëvduar Jezu Krishti” .
– Marrë nga Vatican News