Menu Schließen

Françesku: ndalojini mizoritë e egra të luftës!

Në audiencën e përgjithshme, pas katekizmit, Papa ua drejtoi përshëndetjen e tij “posaçërisht të përzemërt, shoqëruar nga një duartrokitje e gjatë, fëmijëve ukrainas”, të përbujtur nga Fondacioni “T’i ndihmojmë të jetojnë”, nga Shoqata “Puer” dhe nga Ambasada e Ukrainës pranë Selisë Shenjtë. Përshëndetja, të cilën Papa e shoqëroi me një dënim të ri të ndeshjes, që po gjakos Evropën lindore, na nxit të mendojmë për tmerrin e luftës e të vijojmë lutjet që të marrë fund kjo mizori e egër.

R.SH. – Vatikan

Në audiencën e sotme të përgjithshme, pas katekizmit, Papa Françesku u drejtoi një përshëndetje tejet të përzemërt fëmijëve ukrainas, mikpritur nga Fondacioni “T’i ndihmojmë të jetojnë”, nga Shoqata “Puer” dhe nga Ambasada e Ukrainës pranë Selisë së Shenjtë:

“Në këtë hap të fundit të udhës kreshmore, shikojmë Kryqin e Krishtit, shprehje kulmore e dashurisë së Zotit, e përpiqemi të jemi gjithnjë pranë të vuajturve, të vetmuarve, të ligshtëve, që pësojnë dhunë e nuk ka kush i mbron”.

Pranë të vegjëlve, nga tragjedia e Chernobyl-it, deri sot

Shoqata “Puer” ka si mision zbatimin e masave në ndihmë të realiteteve shoqërore të ligshta, me vëmendje të veçantë për të miturit në kushte të vëshira jetese. Histori, që gërshetohet posaçërisht me ngjarjen dramatike: atë që pati ndodhur më 26 prill 1986, pas shpërthimit të njërit nga reaktorët e centralit bërthamor të Chernobyl-it. Që asokohe, falë këtij realiteti, në zonat e paprekura nga rrezatimet radioaktive u strehuan mijëra fëmijë, të ardhur sidomos nga Bjellorusia, një nga kombet më të dëmtuara nga rrezatimet.

“T’i ndihmojmë të jetojnë” u krijua nga vullnetarët, njerëz vullnetmirë, që u treguan të gatshëm t’i ndihmojnë fëmijët e prekur nga tragjedia bërthamore e Chernobylit. Pak ditë më parë një delegacion i fondacionit shkoi në vendet fqinje me Ukrainën për të çuar ndihma humanitare, ndërmjet të tjerave, ushqime, veshmbathje, mbulesa, këpucë e ilaçe.

Fëmijëri e mohuar

Në Ukrainë, për shkak të konfliktit që shpërtheu më 24 shkurt, vdiqën më se 144 fëmijë. Mbi bazën e të dhënave të Unicef-it, janë më se 4 milionë e 300 mijë të mitur të shpërngulur, më se 1,8 milionë fëmijë strehohen në vendet fqinje si refugjatë e 2,5 milionë si të shpërngulur të brendshëm: “Lufta shkaktoi një nga shpërnguljet më të mëdha fëmijëve, që njihet qysh nga Lufta II Botërore” – deklaron drejtoresha e përgjithshme e Unicef, Catherine Russel. “Ky është rezultat i trishtuar, që mund të ketë pasoja të gjata për breznitë e ardhshme”.

Pa mjekime e pa shkolla

Lufta ka pasoja shkatrrimtare mbi infrastrukturat civile. U rrënuan spitale e shkolla. Ministria ukrainase e arsimit dhe e shkencës njofton se u shkatërruan më se 5000 struktura arsimore. Ndërsa 1,4 milionë banorë të Ukrainës nuk kanë ujë të pijshëm, Unicef-i nënvizon edhe se është ngadalësuar ndjeshëm vaksinimi, si i të rriturve, ashtu edhe i fëmijëve, duke përfshirë edhe vaksinat për sëmundjet foshnjore, si fruthi e poliomeliti. Kjo mungesë mund të krijojë vatra sëmundjeje, posaçërisht në zonat e mbipopulluara, ku njerëzit grumbullohen gjatë sulmeve ajrore. Lufta, që arriti në ditën e 35-të, vijon të shkaktojë trauma e shkatërrime: po rrenon ardhmërinë, kryesisht atë të breznive të reja, që kanë nevojë më shumë se kushdo tjetër për paqe e mbrojtje!

– Marrë nga Vatican News