Menu Schließen

Papa: “Nuk mësojmë, jemi të dashuruar me luftërat dhe me shpirtin e Kainit”

Në dialogun me gazetarët, në udhëtimin e kthimit nga Malta, Papa Françesku iu përgjigj pyetjeve mbi mundësinë e një udhëtimi në Kiev dhe mbi tmerret e luftës

R.SH. – Vatikan

“Nuk mësojmë! Zoti pastë mëshirë për ne, për të gjithë ne, të gjithë jemi fajtorë!” Papa Françesku flet sërish për luftën, me gazetarët, gjatë udhëtimit të kthimit nga Malta, pasi kujton ç’i kishte bërë përshtypje nga mikpritja e ishullit.

Andrea Rossitto (TVM)

Faleminderit për praninë tuaj në Maltë. Pyetja ime ka të bëjë me të papriturën e mëngjesit të sotëm në kapelën ku është varrosur Shën Gjergj Preca: çfarë ju shtyu t’i befasoni maltezët dhe çfarë do të mbani mend nga kjo vizitë në Maltë? E si jeni me shëndet? E pamë në këtë udhëtim shumë intensiv. Shkoi mirë, të themi. Shumë faleminderit.

Shëndeti im është pak kapriçioz, kam këtë problem me gjurin, që s’më lë të lëviz si duhet, të eci, është pak i bezdisshëm, por po përmirësohet, të paktën mund të shkoj [kudo]. Dy javë më parë nuk mund të bëja asgjë. Është diçka e ngadaltë, të shohim nëse kthehet mbrapsht, por dyshoj se në këtë moshë nuk e dimë si do të përfundojë loja, shpresojmë të shkojë mirë. E tani, Malta: jam i kënaqur me vizitën, pashë realitetet e Maltës, përjetova entuziazmin e njerëzve – mbresëlënës – si në Gozo ashtu edhe në Maltë, La Valetta e në vende të tjera. Një entuziazëm i madh në rrugë, u mahnita, ishte pak i shkurtër [si udhëtim]. Problemi, që pashë për ju e, edhe një nga problemet është migrimi.

Problemi i emigrantëve është serioz, sepse si Greqia, ashtu edhe Qipro, Malta, Italia, Spanja janë vendet më të afërta me Afrikën dhe Lindjen e Mesme, prandaj, zbarkojnë këtu, mbërrijnë këtu. Migrantët duhet të mirëpriten gjithmonë! Problemi është se çdo qeveri duhet të thotë sa mund të marrë normalisht për të jetuar në vend. Për këtë duhet marrëveshje me vendet e Evropës dhe jo të gjithë janë të gatshëm të pranojnë emigrantë. Po kështu janë punët, por të paktën të mos u lihet gjithë barra vendeve fqinje, që janë kaq bujare. Malta është një prej tyre.

Sot isha në qendrën e pritjes së emigrantëve dhe gjërat që dëgjova atje janë të tmerrshme, vuajtjet e tyre për të arritur këtu e pastaj kampet, i çojnë në lager në bregdetin e Libisë, kur i kthejnë. Kjo duket kriminale apo jo? Prandaj, besoj se është problem, që ua prek zemrën të gjithëve. Ashtu si Evropa, e cila, me kaq bujari, po u bën vend ukrainasve që i trokasin në derë, ashtu duhet bërë edhe me të tjerët, që vijnë nga Mesdheu. Kjo është një pikë me të cilën e përfundova vizitën dhe më preku shumë, sepse dëgjova dëshmitë, vuajtjet, të cilat janë pak a shumë si ato që besoj ju thashë se i gjeni në atë librin e vogël që ka dalë, «Hermanito», në spanjisht «vëllai i vogël». E pastaj, e gjithë Udha e Kryqit e këtyre njerëzve: njërit, që foli sot, iu desh të paguante katër herë, ju kërkoj të mendoni për këtë. Faleminderit.

Jorge Antelo Barcia (RNA)

Në avionin që na çoi në Maltë, ju i thatë një kolegu se është në tryezë një udhëtim në Kiev dhe kur mbërritët në Maltë folët për afërsinë tuaj me popullin ukrainas. Të premten, në Romë, presidenti i Polonisë e la derën hapur për një udhëtim tuajin në kufirin polak. Sot na prekën pamjet që vinin nga Bucha, një qytet afër Kievit, i braktisur nga ushtria ruse, ku ukrainasit gjetën dhjetëra kufoma të hedhura në rrugë, disa me duar të lidhura, sikur të ishin “ekzekutuar”. Duket se sot, prania juaj në atë zonë është gjithnjë e më e nevojshme. A mendoni se një udhëtim si ky është i realizueshëm? Cilat do të ishin kushtet për t’u plotësuar që ju të shkoni atje?

Faleminderit që ma tregove këtë lajm të sotëm, sepse ende nuk e dija. Lufta është gjithmonë mizori, diçka çnjerëzore, që shkon kundër shpirtit njerëzor, nuk po them të krishterë… njerëzor. Është fryma e Kainit, shpirti «kainist»… Unë jam gati të bëj gjithçka duhet dhe Selia e Shenjtë, veçanërisht pjesa diplomatike e saj, kardinali Parolin dhe imzot Gallagher, po bëjnë gjithçka, vërtet gjithçka, nuk mund të publikohet gjithçka bëjnë, për shkak të kujdesit, të konfidencialitetit, por ne jemi në limitin e punës.

Ndër mundësitë është udhëtimi; ka dy udhëtime të mundshme: njërin ma kërkoi presidenti i Polonisë për të dërguar kardinalin Krajewski që të vizitonte ukrainasit e strehuar në Poloni; ai tashmë ka shkuar dy herë, ka çuar dy ambulanca dhe ka qëndruar me ta, por do ta bëjë përsëri këtë, është i gatshëm ta bëjë; sa i përket udhëtimit tjetër, për të cilin më ka pyetyr më se një person, u përgjigja me sinqeritet se e kisha ndërmend të shkoja, se jam gjithmonë gati, nuk them jo, jam në dispozicion. Çfarë mendohet për këtë udhëtim… pyetja ishte kështu: «Dëgjuam që po mendonit për një udhëtim në Ukrainë», e unë thashë që është në tavolinë, është një nga propozimet, por unë nuk e di nëse mund të bëhet, nëse duhet bërë dhe po qe se bëhet, do të ishte për më mirë a jo, po diskutohet e gjithë kjo, është në ajër.

Pastaj, prej kohësh po mendohej një takim me Patrikun Kirill, po punohet për këtë, po punohet e  po mendohet të bëhet në Lindjen e Mesme. Këto janë çështjet, tani për tani.

Gerry O’Connell (America Magazine)

Ju folët disa herë për luftën gjatë këtij udhëtimi. Pyetja që bëjnë të gjithë është: keni folur me presidentin Putin që nga fillimi i luftës dhe nëse jo, çfarë do t’i thoshit sot?

Gjërat që u kam thënë autoriteteve nga të gjitha palët, janë publike. Asnjë nga gjërat që kam thënë nuk janë të rezervuara vetëm për mua. Kur fola me Patrikun, më pas, ai bëri një deklaratë të bukur për çka i thamë njëri-tjetrit. Me presidentin e Rusisë kam folur në fund të vitit, kur më telefonoi për të më uruar. Me presidentin e Ukrainës kam folur dy herë. Pastaj, ditën e parë të luftës mendova se duhej të shkoja në ambasadën ruse për të folur me ambasadorin, që është përfaqësues i popullit dhe t’i bëja pyetje e t’i shprehja përshtypjet e rastit.

Këto janë kontaktet zyrtare që kam pasur. Me Rusinë i pata përmes ambasadës. Kam folur edhe me kryeipeshkvin e madh të Kievit, imzot Schevchuck. Pastaj, çdo dy ose tri ditë, dëgjoja rregullisht njërën prej jush, Elisabetta Piqué, që ishte në Lviv dhe tani është në Odesë. Ajo më tregon si janë punët. Kam folur edhe me rektorin e seminarit. Por siç thashë, jam në kontakt edhe me njërën prej jush. Meqë ra fjala, dua t’ju shpreh ngushëllimet për kolegët tuaj të rënë. Nga cilado palë të jenë, nuk ka rëndësi. Por puna juaj është për të mirën e përbashkët dhe ata kanë rënë në shërbim për të mirën e përbashkët. Për informacionin. Të mos i harrojmë. Kanë qenë të guximshëm dhe unë lutem që Zoti t’ua shpërblejë punën. Këto janë kontaktet, që kemi pasur deri tani.

Por, cili do të ishte mesazhi juaj për Putin, nëse do të kishit mundësi [t’i flisni]?

Mesazhet që u kam dhënë të gjitha autoriteteve janë ato, që i kam bërë publikisht. Unë nuk flas me dy gjuhë të ndryshme. Bëj gjithmonë të njëjtën gjë. Besoj se në pyetjen tuaj ka edhe një dyshim për luftën e drejtë dhe të padrejtë. Çdo luftë lind nga një padrejtësi, gjithmonë. Sepse kështu është skema e luftës. Nuk ka asnjë skemë paqeje. Për shembull, bëhen investime për të blerë armë. Thonë: po ne kemi nevojë për t’u mbrojtur! Kjo është skema e luftës. Kur përfundoi Lufta II Botërore, të gjithë shqiptuan “kurrë më luftë” e paqe. Filloi vala e punës për paqen, edhe me vullnetin e mirë për të mos dhënë armë (armët atomike në atë çast), për të ndërtuar paqen, pas Hiroshimës dhe Nagasakit. Ishte vullnet shumë i mirë.

Shtatëdhjetë vjet më vonë, kemi harruar gjithçka. Kështu imponohet skema e luftës. Në atë kohë, kishte shumë shpresa në punën e Kombeve të Bashkuara. Por modeli i luftës u imponua edhe një herë. Nuk mund të mendojmë për skemë tjetër, nuk kemi mësuar më të mendojmë për skemën e paqes. Ka pasur të mëdhenj si Ghandi dhe të tjerë, që i përmend në fund të Enciklikës “Fratelli tutti”, të cilët ia kanë kushtuar jetën skemës së paqes. Por ne, si njerëzim, jemi kokëfortë. Jemi të dashuruar me luftërat, me shpirtin e Kainit. Jo rastësisht, në fillim të Biblës paraqitet ky problem: fryma «kainiste» e vrasjes në vend të frymës së paqes. O Atë, si është e mundur!

Po ju them diçka personale: kur isha në Redipuglia, në vitin 2014, dhe pashë emrat e të rinjve, qava. Vërtet, qava nga hidhërimi. Pastaj, një ose dy vjet më vonë, për ditën e të shumëve, shkova në Anzio dhe pashë emrat e djaloshave, që kishin humbur jetën atje. Të gjithë të rinj, e derdha lot edhe atje. Vërtet! Duhet të qajmë mbi varre. Eshtë diçka që e respektoj, sepse këtu kemi një problem politik. Kur u përkujtua zbarkimi në Normandi, krerët e qeverive u mblodhën për kremtimin. Por nuk mbaj mend që ndokush të ketë përmendur 30 mijë djemtë e rinj të rënë në bregdet. Rinia nuk ka rëndësi. Kjo më bën të mendoj. Më dhemb shpirti. Ne nuk mësojmë. Zoti pastë mëshirë për ne, për të gjithë ne. Të gjithë jemi fajtorë!

– Marrë nga Vatican News