Pas takimeve përgatitore për martesë kishtare, sot, në Meshën e orës 13:30, në Sursee, kremtuam Meshën e shenjtë me të rinjtë dhe për të rinjtë të cilët do të martohen gjatë kësaj vere.
Lutja, përveçse shprehë besimin në Hyjin, ajo njëkohësisht dëshmon nevojën tonë për mbrojtje, frymëzim, këshillim, udhëzim dhe ndriçim nga fuqia hyjnore. Me këtë qëllim ju afruam altarit të shenjtë dhe Meshës shenjte të animuar nga vetë të rinjtë, edhe pse shumica prej tyre të lindur dhe të rritur në Zvicër, nuk hezituan të lexojnë dhe ta lëvdojnë Hyjin në gjuhën tonë shqipe.
Porosia e Ungjillit të kësaj të diele ishte ndjekja e Jezusit dhe bartja e kryqit për çdo ditë, këtë gjë ua urojë don Antoni të rinjve, duke u kujtuar atyre se gjërat e çmueshme arrihen përmes sakrificës së përditshme dhe qëndrueshmërisë deri në fund. Në këtë Meshë patëm edhe pagëzimin e një foshnje, sikur për të ju kujtuar të rinjve të pranishëm në Meshë, se edhe ata, një ditë, Zoti do t’i gëzojë me lindjen e fëmijëve dhe me bekime të shumta.