Mbrëmjen e djeshme, më 8 qershor, grupi i të rinjve të ansamblit «Shqiponja» organizoi një mbrëmje të këndshme miqësore, në të cilën ishin të ftuar familjarët e tyre dhe përfaqësuesit e ansamblit «Trojet» nga Winterturi, të udhëhequr nga koreografi i nderuar z. Arsim Berisha.
Të rinjtë fillimisht përshëndetën të pranishmit, ndanë disa dhurata dhe shpjeguan programin e pasur dhe të mirëorganizuar të mbrëmjes.
Më pas Don Antoni në emër të të gjithë të pranishmëve përshëndeti dhe përgëzoi të rinjtë për angazhimin, përkushtimin dhe dëshirën për të bërë diçka të bukur për veten dhe për komunitetin tonë në përgjithësi.
Të shohësh një grup kaq të madh dhe kaq të motivuar për të ruajtur e kultivuar traditat dhe vlerat tona kombëtare, kulturore e shpirtërore sot është e rrallë, për këtë ju falënderojmë dhe njëkohësisht ju premtojmë të gjithë mbështetjen tonë, theksoi Don Antoni.
Darka, përveç ushqimit të mirë, ishte e mbushur me një program të bukur kulturor dhe argëtues.
Ansamblit të Misionit tonë i urojmë suksese, mbarësi dhe një të ardhme të mirë e të suksesshme!
Zoti e bekoftë rininë tonë!