Si çdo Famulli, edhe Misioni ka shumë për të koordinuar dhe planifikuar lidhur me punën në nivel pastoral, kulturor, bamirës etj.
Këshilli i Misionit është organ zyrtar prandaj edhe natyra e punës së tij lidhet ngushtë me aktivitetet e Misionit.
Misioni ynë ka bashkëpunëtorë aktiv të cilët ndihmojnë pa u kursyer që puna të ecë sa më mirë dhe në mënyrë të organizuar. Ky angazhim i tyre ka të bëjë qoftë në jetën pastorale e liturgjike, po ashtu edhe në aktivitete të tjera që organizohen me Zvicerjanët dhe me anëtarët e misioneve të tjera që veprojnë në Zvicër. Ndër bashkëpunëtorët e ngushtë e të nevojshëm, secili në rolin e vet, janë pra edhe anëtarët e Këshillit të Misionit.
Ky Këshill ka rol të rëndësishëm dhe ndihmon në të gjitha aktivitetet organizative, qofshin ato baritore-pastorale të Misionit, organizime tjera festive familjare, në bamirësi, financa etj. Përveç këtyre angazhimeve të tyre, ata bëjnë një punë shumë të madhe duke shoqëruar meshtarët në bekimin e shtëpive.
Pra, Këshilli ka për detyrë të ndjejë pulsin e kohës, nevojat e njerëzve dhe ato t’ia parashtrojë meshtarit apo udhëheqësit të Misionit. Puna këshilldhënëse e tyre, është një urë lidhëse e ngushtë mes bashkësisë dhe meshtarit.
Angazhimi në Këshillin e Misionit, sigurisht edhe për vetë anëtarët e tij ofron një mundësi të veçantë për të marrë pjesë në mënyrë aktive në jetën e bashkësisë së krishterë.
I falënderojmë për këtë bashkëpunim të mirë dhe i lutemi Zotit që t’i shpërblejë me bekime për punën që bëjnë pranë Misionit tonë.