Menu Schließen

NDIHMËSIT PËR KUNGIM TË BESIMTARËVE

SONY DSC

Pas Koncilit të II të Vatikanit edhe laikëve u është dhënë e drejta të ndajnë Kungimin, atëherë kur nuk ka mjaftueshëm ndarës të rregullt, kjo për shkak të numrit të madh të besimtarëve që kungohen, por edhe shumë kjo shërbesë të mos zgjatet shumë.

Në Misionin tonë, përveç meshtarit, që është ndarës i rregullt i Kungimit, janë edhe shtatë besimtarë laikë që e ndihmojnë atë.

Shërbesa e ndihmësve për ndarjen e Kungimit është relativisht e re në Kishë. Ajo nuk lidhet patjetër  me detyrën e sakristianit, edhe pse kombinohet mjaft mirë me këtë detyrë. Zakonisht, për këtë shërbim, famullitari i përzgjedhë kandidatët, dhe pasi ta kenë kryer kursin e nevojshëm përgatitor, ipeshkvi ua jep lejen ta kryejnë këtë shërbim.

Ata janë ndarës të jashtëzakonshëm të Kungimit. Pra, i ndihmojnë ndarësit të rregullt. E Kush janë ndarësit e rregullt? Janë ipeshkvi, meshtari dhe diakoni. Ndarësi real është Jezu Krishti, i cili „atë natë që po tradhtohej, mori bukën, falënderoi, e theu dhe tha: “Ky është Trupi im ‑ për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim!” Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëjeni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” (1Kor 23-25).

Krishti i thirr, i dërgon dhe u jep pushtet apostolik njerëzve, që përmes tyre të kryej, atë që vetëm Ai mund ta bëjë.

Ndarësi i Kungimit duhet të jetë katolik që i ka pranuar sakramentet, natyrisht të jetë besimtar i mirë. Pastaj, ata duhet të ndjekin kursin e nevojshëm, që të mund ta kryejnë mirë këtë shërbim.

Ky shërbim i ri në Kishë, laikëve që kanë kryer përgatitjen e nevojshme dhe u është dhënë leja për ndarjen e Kungimit, në marrëveshje me famullitarin, i lejon ata që të kungojnë edhe të sëmurët në shtëpi.

Disa rregulla praktike për ndihmësit në ndarjen e Kungimit

Kur laikët ndajnë Kungimin në Kishë, për hir të shërbesës së shenjtë që kryejnë, është mirë të jenë të veshur me petk liturgjik, pra në këtë rast të veshur me albë. Kjo, për shkak të denjësisë së shërbimit, por edhe për shkak se me veshjen liturgjike jepet përshtypja e çartë se Liturgjia e Kishës nuk është vetëm “punë e meshtarit“, por është kremtim i gjithë bashkësisë. Mirëpo, edhe nëse nuk përdoret alba, ata duhet të jenë të veshur ashtu që t’i përshtaten kremtimit.

Ndihmësit afrohen tek altari kur të fillojë lutja “O Qengji Hyjit“, ose në fillim të shërbesës së Kungimit (Ati ynë). Ata mund të sjellin ciborin me Hostje të shuguruara prej Tabernakullit  ose meshtari e merr vetë, varet prej famullie në famulli, por nëse duhet të sillet cibori në altar, ai sillet kur të fillojë lutja “O Qengji Hyjit“.

Pasi ta kenë marrë kungimin nga dora e meshtarit, ata nuk i marrin vetë ciboret për kungim, por meshtari ua jep dhe kështu fillojnë t’i kungojnë besimtarët e pranishëm. Përveç kungimit, ata mund t’i bekojnë fëmijët e vegjël të cilët vijnë bashkë me të rriturit, duke ua bërë shenjën e Kryqit në ballë.

Parimisht, kjo shërbesë nuk është e lidhur vetëm me famullinë prej nga vijnë ndihmësit, sepse ata që kanë kryer këtë kurs marrin edhe vërtetim e duhur për këtë shërbesë, por zakonisht ata e bëjnë këtë shërbim vetëm në famullinë e vet.

Ndodhë që vijnë në Kungim edhe njerëz të pa pagëzuar, po ashtu, fëmijë që nuk jemi të sigurt a kanë marrë Kungimin apo jo, për shkak se nuk i njohim të gjithë ata që vijnë në Kungim,  herë pas herë edhe i pyesim për këtë gjë.

E falënderojmë Zotin për ta dhe i lutemi që t’i mbaj të palëkundshëm në Fe.

Ndarësit e Kungimit në Mision tonë:

Nikollë Lleshdedaj
Marie Ibra
Pal Doda
Lekë Ceni
Emanuell Marku
Flore Rosaj
Pjetër Gjoni